... Nami.al

Vrasja e Flori Paluçit e Aranit Kurtit për një kafe në Manzë, dorëzohet në polici një nga të kërkuarit

Gëzim Allçi, i cili ishte në kërkim për armëmbajtje pa leje, moskallëzim krimi si edhe përkrahje e autori të krimit në lidhje me vrasjen e dyfishtë në Manzë gjatë sherrit që nisi për kafen është vetëdorëzuar në polici.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 22 tetor 2025, në ambientin e jashtëm të një lokali në Manëz.

Njoftimi i policisë:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës ekzekutuan vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, të datës 13.11.2025, e cila ka caktuar në mungesë masën e sigurimit “Arrest në burg” ndaj shtetasit G. A., 31 vjeç, banues në Manëz, Durrës, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe municioneve” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.

Shtetasi G. A. ishte shpallur në kërkim, i dyshuar si i përfshirë në ngjarjen e ndodhur në tetor 2025, në Manëz, Durrës, ku mbetën të vrarë me armë zjarri dy shtetas.

Ky shtetas është vetëdorëzuar në DVP Durrës.

Gjithashtu, ky shtetas ka dorëzuar një send në dukje pistoletë (armë sportive me gogla), duke deklaruar se këtë e kishte me vete ditën e ngjarjes.

Materialet shtesë i kaluan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Ngjarja

Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të 22 tetorit në fshatin Manëz, në lokalin në pronësi të familjes së ish-administratorit të njësisë administrative. Sherri ka nisur në lokal mes Daniel Pepës dhe kamerierit të cilit i kërkonte të ndizte ekspresin për të bërë kafe.

Ajo që kamerat e sigurisë kanë pikasur është se disa minuta pas ngjarjes është shfaqur sërish Daniel Pepa, në vendin e ngjarjes, bashkë me Gëzim Allçin, i cili mbante në dorë një send që sipas policisë është armë zjarri pistoletë.

Daniel Pepa dhe Gëzim Allçi janë djem tezesh me njëri-tjetrin. Bashkë më ta kanë qenë edhe Taulant Beqaj dhe Emirjan Beqaj. Kanë qëndruar pak dhe më pas janë larguar me makinë drejt Maminasit.