...
Vëllai i 25-vjeçarit Kevin Muharremi, i cili u vra pak ditë më parë në Itali, ka reaguar publikisht përmes një postimi në rrjetet sociale, duke u bërë thirrje bashkëatdhetarëve që të mos bien pre e mashtrimeve që po qarkullojnë në emër të familjes së tyre.
Në një reagim të publikuar në faqen e biznesit që ai administronte së bashku me të vëllain, Elvis Muharremi ka sqaruar se familja nuk ka hapur asnjë llogari në platformën GoFundMe apo në ndonjë faqe tjetër për mbledhje fondesh.
Ai thekson se çdo iniciativë e tillë është mashtrim dhe u kërkon të gjithëve të mos dërgojnë para askund, duke i lënë familjarët të përjetojnë në qetësi dhimbjen e tyre të madhe.
“Jam Elvis Muharremi vëllai i Kevin Muharremit që është vrarë më 14 shkurt 2026. Ne nuk kemi hapur asnjë lloj llogarie apo GofundMe që të na ndihmoni. Ju lutem shumë mos hidhni lek askund. Na lini të qetë në dhimbjen tonë”, shkruan ai.
Ndërkohë, detaje të reja janë zbardhur lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur tre ditë më parë.
Sipas mediave italiane, Kevin Muharremi, 25 vjeç, u vra me tre plumba më 14 shkurt në Itali.
I dyshuari për krimin është bashkatdhetari i tij, Renato Xyke, 20 vjeç, i cili është arrestuar nga autoritetet.