... Nami.al

Starmer telefon Trump: Tarifa ndaj aleatëve të NATO-s është e gabuar

Kryeministri britanik Keir Starmer ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

“Kryeministri përsëriti qëndrimin e tij për Groenlandën. Ai tha se siguria në Veri është prioritet për të gjithë aleatët e NATO-s, në mënyrë që të mbrohen interesat euro-atlantike,” tha një zëdhënës i kryeministrit britanik sipas BBC-së.

“Ai gjithashtu tha se vendosja e tarifave ndaj aleatëve për ndjekjen e sigurisë kolektive të NATO-s është e gabuar.”

Zëdhënësi shtoi se Starmer ka folur gjithashtu sot me kryeministren e Danimarkës Mette Frederiksen, presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen si dhe me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte.

Udhëheqësit e tetë vendeve të shënjestruara nga paketa e re e tarifave të presidentit amerikan e kaluan ditën e sotme duke dhënë mesazhe sfiduese uniteti kundër kërcënimeve të Donald Trump.

Një deklaratë e përbashkët nga Danimarka, Finlanda, Franca, Gjermania, Holanda, Norvegjia, Suedia dhe Mbretëria e Bashkuar paralajmëroi për një “spirale të rrezikshme” nëse Trump realizon ambicien e tij për të marrë kontrollin e Groenlandës.

Deklarata erdhi pas një takimi urgjent në Bruksel, thirrur si përgjigje ndaj kërcënimeve të Trump-it, për vendosjen e tarifave mbi eksportet e tetë vendeve drejt SHBA-ve me 10% nga 1 shkurti, duke u rritur në 25% në qershor.

Menjëherë pas kësaj, kryeministrja e Danimarkës Mette Frederiksen deklaroi se “Evropa nuk do të shantazhohet” për të dorëzuar Groenlandën, një territor autonom që aktualisht kontrollohet nga Danimarka.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm danez Lars Løkke Rasmussen u takua me homologun e tij norvegjez për të diskutuar përshkallëzimin e fundit. Ai tha se shpreson që bisedimet me SHBA-të të vazhdojnë “në mënyrë që presidenti të heqë dorë nga ëndrra e marrjes së Groenlandës”.