... Nami.al

Shtëpia e Bardhë: Trump nuk përjashton mundësinë e përdorimit të ushtrisë në Groenlandë. BE: Kufijtë janë të paprekshëm

Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Donald Trump ka diskutuar “një sërë opsionesh” për të blerë Groenlandën, përfshirë edhe përdorimin e ushtrisë amerikane.

Në një deklaratë, Shtëpia e Bardhë i tha BBC-së se Trump e kishte bërë të qartë se blerja e Groenlandës ishte një “prioritet i sigurisë kombëtare”.

“Presidenti dhe ekipi i tij po diskutojnë një sërë opsionesh për të ndjekur këtë qëllim të rëndësishëm të politikës së jashtme dhe, sigurisht, përdorimi i ushtrisë amerikane është gjithmonë një opsion në dispozicion të Komandantit të Përgjithshëm”, tha Shtëpia e Bardhë.

Kjo vjen pasi Trump tha përsëri në fundjavë se SHBA-të “kishin nevojë” për Groenlandën – një rajon gjysmë-autonom i Danimarkës, një anëtare tjetër e NATO-s – për arsye sigurie.

Kryeministrja daneze Mette Frederiksen paralajmëroi të hënën se një sulm nga SHBA-të do të shënonte fundin e NATO-s.

Ndërsa udhëheqësit nga fuqitë e mëdha evropiane shprehën mbështetje për Danimarkën dhe Groenlandën të martën në një deklaratë të përbashkët, duke thënë se ishulli Arktik u përket popullit të tij, pas interesit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump për të marrë territorin danez.

“Groenlanda u përket popullit të saj. Është detyrë e Danimarkës dhe Groenlandës, dhe vetëm atyre, të vendosin për çështjet që kanë të bëjnë me Danimarkën dhe Groenlandën”, thuhej në deklaratën e udhëheqësve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Polonisë, Spanjës, Britanisë dhe Danimarkës.

Udhëheqësit thanë se siguria në Arktik duhet të arrihet kolektivisht me aleatët e NATO-s, përfshirë Shtetet e Bashkuara.

“NATO e ka bërë të qartë se rajoni i Arktikut është një përparësi dhe aleatët evropianë po përparojnë. Ne dhe shumë aleatë të tjerë kemi rritur praninë, aktivitetet dhe investimet tona, për ta mbajtur Arktikun të sigurt dhe për të penguar kundërshtarët”, thuhet në deklaratë.

Vendndodhja strategjike e ishullit midis Evropës dhe Amerikës së Veriut e bën atë një vend kritik për sistemin amerikan të mbrojtjes nga raketat balistike. Pasuria e tij minerale përputhet gjithashtu me ambicien e Uashingtonit për të zvogëluar varësinë nga eksportet kineze.