... Nami.al

SHBA sekuestron dy cisterna ruse me naftë, Moska reagon ashpër: Sulm i paligjshëm

Shtetet e Bashkuara kanë sekuestruar dy cisterna ruse nafte. Mediat ndërkombëtare raportojnë se bëhet fjalë për cisternat Marinera dhe Sophia. E para u ndalua në Atlantikun e Veriut, e dyta në Karaibe. Të dyja u sanksionuan nga SHBA-ja, duke përmendur “aktivitete të paligjshme” si shkak të bllokadës.

Moska u përgjigj menjëherë: “Hyrja në anijen Marinera nga forcat amerikane shkel Konventën e OKB-së të vitit 1982 mbi Ligjet e Detit”, denoncoi Ministria Ruse e Transportit, duke shtuar: “Më 24 dhjetor 2025, cisterna kishte marrë një leje të përkohshme për të lundruar nën flamurin kombëtar të Federatës Ruse, të lëshuar në bazë të legjislacionit rus dhe ligjit ndërkombëtar”.

E bllokuar në brigjet e Evropës kontinentale, Marinera, më parë Bella 1, akuzohet nga Shtëpia e Bardhë për shkelje të sanksioneve të SHBA-së dhe transportim të naftës bruto iraniane. Ajo kishte qenë prej kohësh në shënjestër të Uashingtonit, me një përpjekje për t’u hipur në anije muajin e kaluar, por anija ndryshoi kurs, si dhe emrin dhe flamurin e saj (nga gujanezë në rus). Operacioni u drejtua nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së. Përpjekjet e Rusisë  për  të mbrojtur anijen ishin të kota, pasi Kremlini kishte dërguar anije detare dhe një nëndetëse për të “shoqëruar” Marinera-n.

Ndërkohë anija tjetër e naftës e sekuestruar  M/T Sophia, sipas mediave amerikane, po valëviste në mënyrë të rreme flamurin e Kamerunit, megjithëse në të vërtetë ishte rus. Sipas Uashingtonit, Sophia ishte gjithashtu pjesë e të ashtuquajturës “flotë në hije” dhe i nënshtrohej sanksioneve njësoj si Marinera. Sipas Komandës Jugore të SHBA-së, Roja Bregdetare e SHBA-së po e shoqëron anijen Sophia në SHBA.

Ndërkohë duke pasur parasysh klimën në rritje të tensionit në Venezuelë dhe nga frika e një eksodi të emigrantëve drejt territorit të saj, Kolumbia ka vendosur mbi 30,000 anëtarë të Forcave të Armatosura përgjatë kufirit me Republikën Bolivariane. Masa, e urdhëruar nga Presidenti Gustavo Petro, përfshin përdorimin e tankeve, patrullave dhe një Poste të Unifikuar Komanduese në Cucuta, gjithashtu në përgjigje të kthimit të mundshëm të grupeve të armatosura si disidentët ELN dhe FARC.