... Nami.al

Reshjet intensive, lumi Lana në prag të daljes nga shtrati

Reshjet e dendura të shiut ka shkaktuar përmbytje të rënda në të gjithë vendin, veçanërisht në Durrës dhe Lezhë, duke paralizuar rrugë, përmbytje banesash dhe dëme të shumta në infrastrukturë.

Sakaq, në Tiranë, Lana është fryrë tej mase dhe rrezikon që të dalë nga shtrati.

Situata më problematike paraqitet në zonën e Pallatit me Shigjeta.

Lana është ‘ngjitur’ në pjesën e lulishtes, ndërsa rrezikon të dalë edhe në rrugë.

Problematike paraqitet situata edhe në Novoselë, ku niveli i lumit Vjosë ka arritur në kuotën 8 metra, ndërkohë që mbi kuotën 8.5 metra, Vjosa nis përmbytjen e zonave përreth, duke shtuar ankthin e frikën e banorëve.

Situata vijon të mbetet shqetësuese, pasi prurjet nga Përmeti dhe Memaliaj janë ende të larta.

Gjendja paraqitet e pafavorshme edhe për shkak të erës bregdetare, e cila ka krijuar pengesa në derdhjen e lumit në det, duke rënduar më tej situatën hidrike.

Banorët e zonave të prekura shprehen të indinjuar, duke theksuar se kjo situatë përsëritet prej vitesh dhe, sipas tyre, nuk janë marrë masa konkrete për parandalimin e përmbytjeve.