...
Teksa në gjykatën kushtetuese nuk është caktuar ende data se kur do të shqyrtohet padia e kryeministrit që parashtron se pati ndërhyrje të gjyqësorit në kompetencat për të pezulluar një anëtar të kabinetit, gjyqtari i posaçëm antikorrupsion thotë të kundërtën.
Në vendimin e zbardhur të gjyqtarit Erjon Çela thuhet se nuk ka asnjë ndalim ligjor, për të vendosur atë që SPAK ka kërkuar, pra pezullimin nga detyra të zv.kryeministres dhe ministres së infrastrukturës.
Për këtë gjyqtari i qëndron jo vetëm nenit 242 të kodit të procedurës penale, por edhe kodit zgjedhor. Sipas gjyqtarit konsiderohen persona të zgjedhur deputetët , kryetarët e bashkisë dhe anëtarët e këshillit bashkiakë.
Dhe ndaj siç çmon gjykata dy masat që ju vendosën Belinda Ballukut nuk e pengojnë të pandehurën që të ushtrojë funksionet e saj si deputet i zgjedhur në kuvend. Në dosjen që TCH disponon jepen detaje që shpjegojnë dyshimet se si 3 funksionarët Belinda Balluku, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi konsiderohen si bashkëpunëtorë në shkeljen e barazisë në tendera, njëra për tunelin e Llogorasë dhe tjetra për lotin 4 Unaza e Madhe.
Për këtë referohen në dosje një sërë bisedash të kryera në aplikacionin Signal, dhe të përftuara nga telefoni i ekspertuar i ish-drejtorit të ARRSH Evis Berberi.
Mes mesazheve të zbardhura në vendim dalin emra deputetësh si ai i Lefter Gështenja për të cilin urdhërohet që firma e tij të mos marrë asnjë punë, por edhe sugjerime për të pritur në takim biznesmenë të njohur si Ilir Shtufi. Përzgjedhja e operatorëve ekonomikë në dy prokurimet publike sipas SPAK deri më tani dyshohet se është kryer në mënyrë të paracaktuar.
SPAK shton se në një rast ministrja Balluku përmend edhe çastin se kur duhen publikuar emrat e fituesve të tenderit. Nga verifikimi i kushteve të tre masave të sigurisë, nga njoftimi i vendimit secili nga të pandehurit ka pesë ditë afat ti drejtohet apelit të posaçëm për të depozituar kundërshtimet./ TCH