...
Ndërsa Kremlini vazhdon të flasë për mundësinë e paqes, ushtria ruse po zgjerohet me ritme të shpejta. Gati çdo javë, presidenti Vladimir Putin firmos një ligj të ri për rritjen e numrit të trupave.
Strategjia është e qartë: Për qytetarët rusë premtohen paga të larta dhe kompensime që mund t’i sigurojnë të ardhmen mbarë familjes, sidomos në rast humbjeje në front. Ndërsa të huajve u ofrohet mundësia për t’u bërë shtetas rusë ose për të marrë leje qëndrimi çelësi për të punuar në qytetet e mëdha.
Një vit në front për t’u bërë rezident
Në një dekret të firmosur më 5 nëntor, çdo shtetas i huaj mashkull 18–65 vjeç që kërkon të qëndrojë në Rusi duhet të firmosë një kontratë njëvjeçare me ushtrinë. Në këmbim, ai përfiton leje qëndrimi.
Masa prek kryesisht emigrantët nga Kaukazi dhe Azia Qendrore, të njëjtët që u goditën edhe gjatë mobilizimit të pjesshëm në shtator 2022. Në Moskë, “ftesa” për të shkuar në qendrën e rekrutimit në Sakharovo rrallëherë është parë si lajm i mirë.
Punëtorë nga vendet e ish-Bashkimit Sovjetik kanë qenë prej vitesh një burim i rëndësishëm për ushtrinë. Mungesa e dokumenteve të rregullta apo nevoja për të rinovuar lejen e qëndrimit i ka bërë shumë prej tyre vulnerabël ndaj presionit dhe shantazhit. Dhjetëra mijëra punëtorë të sektorit të shërbimeve, nga restorantet te taksitë, janë dërguar në front, shpesh kundër dëshirës së tyre. Emigrantët pa dokumente janë kërcënuar me dëbim dhe janë detyruar të nënshkruajnë kontrata me Ministrinë e Mbrojtjes.
Rekrutimi i detyruar bëhet zyrtar
Me dekretin e ri, leja e qëndrimit dhe edhe aplikimi për shtetësi kushtëzohen me angazhim ushtarak.
Shtetasit e huaj duhet të paraqesin njërin prej këtyre dokumenteve:
një kontratë minimale 1-vjeçare me ushtrinë ruse;
një raport mjekësor që vërteton paaftësi për shërbim;
ose një lirim të përhershëm nëse kanë shërbyer më herët në ushtrinë ruse.
Edhe perëndimorët përfshihen në skemë
Dekreti prek të gjithë të huajt që jetojnë në Rusi dhe kërkojnë të shmangin statusin e përkohshëm përfshirë edhe qytetarë të vendeve “armiqësore”, si Italia, Franca apo Gjermania.
Sipas vlerësimeve, rreth 30 mijë perëndimorë mund të jenë të prekur nga këto rregulla. Ndërkohë, qytetarët nga vendet e ish-BRSS numërohen në qindra mijëra, ndoshta edhe miliona, duke llogaritur emigracionin e parregullt.
Në janar 2024, oferta e shtetësisë ruse për këdo që rekrutohej pati pak sukses. Tani “karremi” është më praktik: Leja e qëndrimit dhe mundësia për punë.
Shtetësi për mercenarët
Dekreti garanton gjithashtu shtetësinë ruse për të gjithë të huajt që kanë marrë pjesë si vullnetarë në “Operacionin Special Ushtarak”, nëse rinovojnë kontratën – përfshirë bashkëshortet, fëmijët dhe prindërit e tyre. Në Rusi tashmë quhet hapur “amendamenti i mercenarëve”.
Gati katër vjet pas nisjes së pushtimit të Ukrainës, Moska vazhdon të kërkojë njerëz për frontin – ndërsa Putin, paralelisht, vazhdon të flasë për paqe.