... Nami.al

Nga nesër ndalet transporti urban në Prishtinë, shkak bllokimi i buxhetit

Qytetarët e Prishtinës nga dita e nesërme, 24 nëntor, do të mbesin pa transport publik dhe privat, pas vendimit të Trafikut Urban për të ndërprerë qarkullimin e të gjitha linjave.

Shkak për këtë situatë, sipas ndërmarrjes, është bllokimi i buxhetit të Komunës nga Ministria e Financave.

Trafiku Urban njoftoi se ndërprerja vjen si rezultat i vështirësive financiare dhe mungesës së karburanteve, të cilat kanë pamundësuar funksionimin e linjave. Në një postim në Facebook, ndërmarrja theksoi se Komuna e Prishtinës nuk ka arritur të shlyejë obligimet financiare ndaj saj, ndonëse ndërmarrja raporton bilanc pozitiv dhe stabilitet financiar.

“Qarkullimi do të rifillojë menjëherë pas lëshimit të mjeteve nga Ministria e Financave, që do t’i mundësojnë Komunës të shlyejë detyrimet ndaj ndërmarrjes”, thuhet në njoftim.

Ndërmarrja shprehu keqardhje për pasojat që ndërprerja e shërbimit do të shkaktojë për qytetarët.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama e cilësoi situatën si të paprecedentë, duke akuzuar qeverinë se ka bllokuar 35 milionë euro të destinuara për Prishtinën, 25 milionë euro të hyrave vetanake dhe 10 milionë euro të grantit qeveritar.

Sipas tij, bllokimi është bërë për motive politike dhe në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën. Ai bëri të ditur se Komuna ka dorëzuar kallëzim penal ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati, dhe zyrtarëve tjerë përgjegjës.

Rama paralajmëroi se shërbimet bazike të qytetit, përfshirë ushqimin në shkolla, shëndetësinë, ndihmat sociale dhe shërbimet komunale, rrezikojnë ndërprerjen.

“Nuk kam besuar kurrë se qytetarët e këtij vendi do të viheshin në rrezik për interesa zgjedhore”, u shpreh ai, duke shtuar se buxheti i kryeqytetit “është përdorur si mjet në zgjedhjet lokale”.

Rama u bëri thirrje institucioneve qendrore që të zbatojnë ligjin dhe të lirojnë mjetet e bllokuara, ndërsa falënderoi punonjësit publikë dhe privatë për angazhimin e tyre pavarësisht vështirësive.

Rama kërkoi vendosjen e qytetarëve në qendër të vendimmarrjes dhe rikthimin e funksionimit normal të kryeqytetit.