...
Rreth një muaji pas vrasjes së dyfishtë në një lokal në Manzë, është dorëzuar autori i shpallur në kërkim për vrasjen e Flori Paluçin, Daniel Pepa.
21-vjeçari qëlloi për vdekje Flori Paluçin 33 vjeç, pasi ky i fundit i vrau shokun, Aranit Kurti 23 vjeç.
“Specialistët për Krimin Kundër Jetës dhe Pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan shtetasin D. P., 21 vjeç, banues në fshatin Manëz, Njësia Manëz, Durrës.
Arrestimi i tij u krye në zbatim të urdhrit të datës 14.11.2025, të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për ekzekutimin e vendimit penal nr. 622/1, datë 13.11.2025, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, e cila ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg” ndaj këtij shtetasi, si person i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe municioneve”.
Këto veprime lidhen me ngjarjen e ndodhur më datë 22.10.2025, ku janë vrarë shtetasit F. P. dhe A. K., në Manëz, Durrës, ngjarje në të cilën ky shtetas rezulton i implikuar, i dyshuar si autor.
Gjatë veprimeve procedurale, këtij shtetasi i është sekuestruar një armë zjarri. Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes”, njofton policia.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se Daniel Pepa ka hyrë në lokal dhe për motive të dobëta (për një kafe dhe ekspresin që ishte fikur në lokal), është konfliktuar verbalisht, me kamerierin e lokalit dhe me shtetasin Flori Paluçi, i cili shoqërohej në lokal, nga disa shtetas, ndër ta, i arrestuari Erald Cani.
Pas konfliktit verbal, 21-vjeçari është larguar me automjet, nga ambienti i lokalit, ku është kthyer menjëherë më pas, i shoqëruar nga shtetasi i arrestuar Ergi Kadiu dhe nga shtetasi Aranit Kurti.
Në këtë moment Danieli dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri, në drejtim të shtetasit Florit të cilin e ka plagosur, dhe ky i fundit ka qëlluar me armë zjarri, në drejtim të shtetasve Danielit dhe Aranitit (që dyshohet se e ka goditur me grusht, në fytyrë, Paluçin). Si pasojë u vranë Flori Paluçi dhe Aranit Kurti.
Më tej nga hetimet, dyshohet se shtetasi G. A. është larguar nga vendngjarja, me shtetasin Daniel Pepa.