...
Ka dalë fotoja e 36 vjeçarit Glarurtin Kaçi, i cili u arrestua nga Policia e Tiranës pasi akuzohet për mashtrim.
Ai prezantohej si gazetar i emisionit investigativ Piranja me qëllim përfitimin e parave nga persona të ndryshëm.
Sipas policisë, Glarurtin Kaçi i ka marrë 8 mijë euro një qytetari, të cilit i ishte paraqitur si gazetar dhe e kishte kërcënuar se do të publikonte një video të sajuar, nëse nuk i jepte paratë.
Rasti është kallëzuar nga shtetasi L. B., i cili ka deklaruar se Kaçi e ka kontaktuar duke e bindur se materiali “komprometues” do të transmetohej në media, nëse ai nuk paguante shifrën e kërkuar.
Pas denoncimit, policia ka organizuar operacionin për kapjen e autorit, i cili tashmë ndodhet i ndaluar.
“Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1, kapën dhe ndaluan shtetasin G. K., 36 vjeç, pasi denoncuesi L. B. deklaroi se ky shtetas, duke u prezantuar si staf i një emisioni investigativ, i ka marrë shumën prej 8000 euro, për të mos publikuar një video të sajuar prej tij”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe çdo person tjetër që mund të jetë i përfshirë.