... Nami.al

Zbardhet drafti i strukturës së re të Policisë së Shtetit, riorganizim me fokus tek krimi i organizuar

Një takim i zhvilluar me dyer të mbyllura në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka shënuar fillimin e diskutimeve për riorganizimin e strukturës drejtuese të institucionit.

A2 cnn ka publikuar draftin e strukturës së re që pritet të miratohet së shpejti.

Sipas dokumentit, Policia e Shtetit do të funksionojë me gjashtë departamente kryesore:

Departamenti i Policisë Kriminale
Departamenti i Kufirit
Departamenti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare
Departamenti i Rendit dhe Sigurisë Publike
Departamenti i Shërbimeve Mbështetëse
Departamenti i Teknologjisë së Informacionit (IT)

Burime nga brenda strukturës bëjnë të ditur se drafti i ri parashikon fuqizimin e Departamentit të Policisë Kriminale, i cili do të ketë më shumë kompetenca dhe drejtori nën varësi, ndërsa departamentet e tjera do të reduktohen në përmasa dhe atribute.

Departamenti i ri do të quhet “Departamenti për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimet e Rënda” dhe do të përbëhet nga shtatë drejtori:

Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve
Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare
Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda
Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale
Drejtoria e Emergjencës dhe Arkivës Kriminale
Drejtoria për Hetimin e Krimit Kibernetik
Drejtoria e Europol

Një ndryshim i dukshëm është kalimi i Drejtorisë së Europol nën varësinë e këtij departamenti, ndonëse në shumicën e vendeve të BE-së Europol dhe Interpol funksionojnë së bashku.

Me hyrjen në fuqi të strukturës së re, pritet shkrirja e Drejtorisë së Krimit të Organizuar, aktualisht e drejtuar nga Edmond Rizai, për shkak të mbivendosjeve me Drejtorinë e Antidrogës.

Reformimi pritet të përqendrojë më shumë pushtet në nivelet e larta drejtuese, duke e ndarë Policinë e Shtetit në dy shtylla kryesore: Drejtorin e Përgjithshëm dhe Drejtorin e Departamentit për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimet e Rënda, post i cili aktualisht mbahet nga Neritan Nallbati.