...
Komisionerja për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Marta Kos, ka reaguar për deklaratat e kreut të PD-së, Sali Berisha ndaj ambasadorit të BE-së në Tiranë Silvio Gonzato, lidhur me orientimin e tij seksual.
Komisionerja Kos shprehet se sulme të tilla janë të papranueshme.
“Barazia gjinore dhe mosdiskriminimi janë pjesë integrale e ligjit të BE-së.
Përputhja me të është pjesë e procesit të pranimit në BE.
Kjo nuk është një kërkesë private e Ambasadorit të BE-së në Shqipëri.
Çdo sulm ndaj tij është i papranueshëm”, shkruan Marta Kos.
Kreu i PD-së Sali Berisha tha se ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato ka kërkuar votimin e projektligjit për barazinë gjinore.
Madje Berisha shtoi se Gonzato nuk mund t’i imponojë shoqërisë shqiptare, bindjet e tij personale.
“Ambasadorit të BE i them kaq, zotëri ne absolutisht ne respektojmë orientimin seksual të gjithsecilit, por përpjekjet tua për t’i imponuar shoqërisë shqiptare standarde të përkatësisë së shumëfishtë gjinore, të gjinisë në diversitet të gjerë, përveç asaj binare, dhe i them këtu, edhe në statusin tënd je binar.
Nuk merremi ne me trajtimin, ka fëmijë, ka pasur grua, ka marrë vendimet e tij më pas, siç e ka shpjeguar, se nuk dua të merrem me jetën e tij personale fare. Kështu që ligji nuk ka asgjë të përbashkët. Le t’u thotë shqiptarëve se cila direktivë e BE bën fjalë për përkatësi të shumëfishtë gjinore. Të dalë, ta nxjerrë aty”, tha Berisha sot.