... Nami.al

Rama “këshilla” Europës: Janë si gjigantë të fjetur! Dëgjoni mendjet e ndritura të Azisë, Kina do të ketë dyfishin e ekonomisë

Kryeministri Edi Rama mori pjesë në “Future Resilience Forum 2025”, një forum ndërkombëtar mbi sigurinë dhe politikat globale, i mbajtur në Londër.

Në fjalën e tij, Rama u ndal te e ardhmja e Bashkimit Europian, duke theksuar se unioni ndodhet në një moment kyç dhe ka nevojë për një orientim të qartë për të shmangur rrugë të rrezikshme si Brexit, të cilin e cilësoi si “vetëvrasje politike”.

“Europa është në një pikë kritike. Duhet të vendosë nëse do të përmbushë vizionin e etërve themelues, projektin më të jashtëzakonshëm që ka krijuar ndonjëherë njeriu në politikë apo të ndjekë një rrugë katastrofike si Brexit, vetëvrasja më e paimagjinueshme që mund të shohësh në kohë reale,” u shpreh Rama.

Ai theksoi se për të kuptuar më mirë sfidat me të cilat përballet Europa, është e rëndësishme që liderët europianë të dëgjojnë edhe perspektivat nga jashtë kontinentit. “Të dëgjojnë zërat e mendjeve të ndritura të Azisë, Jugut Global, botës arabe, të cilët e shohin Europën si një gjigand të vjetër, të lodhur, që ende nuk është zgjuar për të kuptuar që bota ka ndryshuar,” shtoi kryeministri.

Duke ilustruar me shembullin e Kinës, Rama paralajmëroi se brenda dy dekadash ajo pritet të ketë dyfishin e ekonomisë së Europës, duke theksuar nevojën për zgjuarsi strategjike dhe reforma të thella në kontinentin e vjetër.