... Nami.al

Propozimi i ri / Vendet e Ballkanit Perëndimor në BE, pa të drejtë vetoje dhe vote! Rama e mbështet

Një propozim i ri po diskutohet në zyrtat e Brukselit, për mënyrën e pranimit të vendeve të reja në bllok, por pa të drejtë vetoje dhe vote.

Propozimi për të ndryshuar rregullat e anëtarësimit në BE është në një fazë të hershme dhe do të duhet të miratohet nga të gjitha vendet ekzistuese, sipas asaj që thanë diplomatët evropianë dhe një zyrtari të BE-së me njohuri mbi diskutimet.

Ideja është që anëtarët e rinj do të fitojnë të drejta të plota pasi BE të ketë rishikuar mënyrën e funksionimit të saj për ta bërë më të vështirë për vendet individuale të vënë veton ndaj politikave.

Iniciativa do t’u lejonte vendeve që aktualisht janë në rrugën e anëtarësimit të gëzojnë shumë nga përfitimet e anëtarësimit në BE, por pa të drejta vetoje, diçka që qeveritë e BE-së e kanë çmuar gjithmonë si mjetin përfundimtar për të parandaluar politikat e BE-së që nuk u pëlqejnë.

Mendimi pas propozimit, i cili po diskutohet në mënyrë jozyrtare midis vendeve të BE-së dhe Komisionit, sipas të njëjtëve diplomatë dhe zyrtarë, është se pranimi i vendeve të reja pa të drejtë vetoje, të paktën në fillim të anëtarësimit të tyre, do t’u lejonte atyre të bashkoheshin me kushte më fleksibile pa kërkuar një rishikim të traktateve themelore të BE-së, gjë që nga disa qeveri shihet si një nismë e papranueshme.

Më parë, udhëheqësit e BE-së kishin këmbëngulur se një rishikim i tillë ishte i nevojshëm përpara se blloku të pranonte anëtarë të rinj si Ukraina, duke theksuar rrezikun e rritjes së bllokimeve në Bruksel. Megjithatë, përpjekjet për të hequr të drejtën e vetos edhe për anëtarët ekzistues të BE-së kanë hasur në kundërshtim të fortë, jo vetëm nga Hungaria, por edhe nga Franca dhe Holanda.

Ky propozim duket se u është bërë me dije liderëve të Ballkanit Perëndimor në një panel në Londër ku ndodhet edhe kryeministri Edi Rama i cili ka shprehur mbështetjen e tij.

“Marrja jonë si anëtar me një staus ndryshe është e mirëpritur, pa të drejtë vetoje, votimi për sa kohë BE do të reformojë veten. Kjo reformë ka qenë kryefjalë për kaq shumë dekada. Është e vështirë të reformosh mekanizma. Kur vjen fjala për të vendosur ne jemi linjë dhe ndjekim”, deklaroi Rama.