
...
Virginia Giuffre kishte frikë se ajo mund të “vdiste si skllave seksi” në duart e Jeffrey Epstein dhe rrethit të tij, zbulon libri me kujtime pas vdekjes së saj.
“Nobody’s Girl” do të publikohet të martën. BBC raporton se në të, Giuffre thotë se ka bërë tri herë marrëdhënie seksuale me princin Andrew, ku në një rast përfshihej Epstein dhe tetë vajza të reja.
Andrew dhe Giuffre arritën një marrëveshje financiare në vitin 2002, por ai ka mohuar të ketë shkuar me të. Epstein dhe ish e dashura e tij, Ghislaine Maxwell, e cila po vuan një dënim 20-vjeçar në burg, orkestronin gjithçka.
Giuffre thotë në libër se edhe pas dekadash nga ajo periudhë, kujton sesa u frikësohej të dyve. Ajo përshkruan në detaje abuzimin sadist që përjetonte nga Epstein. Sipas saj, ai e detyronte të bënte seks sadomazokist që i shkaktonte “kaq shumë dhimbje sa i binte të fikët.”
Princi Andrew tha të premten se do të hiqte dorë nga titujt e tij mbretërorë dhe kalorsiakë. Libri i Giuffre vë në diskutim deklaratat e tij se nuk ka bërë asgjë. Ajo thotë se e takoi princin për herë të parë në mars 2001.
Maxwell e zgjoi dhe i tha se do të ishte “një ditë e veçantë” dhe “ashtu si Hirushja” do të takonte një “princ të pashëm.” Giuffre e takoi Andrew po atë ditë dhe Maxwell i kërkoi atij të hamendësonte moshën e saj.
Asokohe princi ishte 41 vjeç dhe “e gjeti saktë: 17. Vajzat e mia janë pak më të vogla se ti”, i tha ai. Atë natë ajo, Epstein dhe Maxwell ishin në klubin Tramp në Londër ku princi “djersiste shumë.” Ndërsa ktheheshin në shtëpinë e Maxwell, ajo i tha: “Kur të shkojmë në shtëpi, duhet të bësh me të atë që bën me Jeffrey.” Atje kryen marrëdhënie.
“Ai ishte miqësor, por mendjemadh, sikur të besonte se të bërit seks me mua ishte e drejta e tij. Mëngjesin tjetër, ishte e qartë se Maxwell kishte biseduar me të sepse më tha: ‘Dole mirë. Princi u kënaq.’”
Giuffre shkruan se “nuk ndihej aq mirë”, duke shtuar: “Shumë shpejt, Epstein do të më jepte 15 mijë dollarë për shërbimin ndaj burrit që tabloidet e quanin Randy Andy, shumë para.”
Hera e dytë me princin ishte rreth një muaj më vonë në shtëpinë e Epstein në New York. Hera e tretë ishte në ishullin e Epstein, “një orgji.”
“Epstein, Andy, rreth tetë vajza të tjera të reja dhe unë bëmë seks. Vajzat e tjera dukeshin nën 18 vjeçe dhe nuk flisnin mirë anglisht. Epstein qeshte sesi ato nuk flisnin dot duke thënë se janë vajzat më të lehta për t’u marrë vesh.”
Giuffre flet edhe për marrëveshjen e vitit 2022, duke thënë se pranoi vetëm sepse dukej sikur për princin kishte rëndësi që të mos njollosej edhe më shumë Jubileu i Platinit së nënës së tij.
Në detaje, ajo përshkruan se vajzat duhet të dukeshin “fëminore” dhe se çrregullimi i saj i të ngrënit “nxitej” nën çatinë e Epstein.
“Në vitet e mia me ta, ata më lanë në duart e njerëzve të pasur, të pushtetshëm. Përdoresha dhe poshtërohesha në mënyrë sistematike, në disa raste më mbysnin, rrihnin dhe gjakosnin. Besoja se mund të vdisja si skllave seksi.”
Epstein u shpall fajtor në vitin 2008 në Florida për prostitucion të miturish. Ai vdiq në burg në vitin 2019 ndërsa priste dënimin.
Po atë vit, princi Andrew tha se nuk kujtonte “aspak” të ishte takuar me Giuffre dhe “nuk kishin pasur kurrë asnjë kontakt seksual.”