... Nami.al

Trump kërcënon sërish Hamasin: Do të vijmë t’iu zhdukim nëse do të prishni armëpushimin!

Si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit me Izraelin, krahu i armatosur i Hamasit, Ezzedine al-Qassam, njoftoi se do të dorëzonte këtë të hënë, 20 tetor, trupin e një pengu izraelit, i cili u gjet një ditë më parë në Gaza.

Nëse dorëzimi realizohet sipas planit, ky do të jetë trupi i 13-të i pengut i kthyer që nga hyrja në fuqi e armëpushimit më 10 tetor.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se mund të vendosë sanksione ndaj Izraelit për të ruajtur ndikimin dhe për të siguruar zbatimin e plotë të marrëveshjes së armëpushimit.

Kryediplomatja e BE-së, Kaja Kallas, ka deklaruar se sanksionet, duke përfshirë përjashtimin e ministrave izraelitë dhe kufizimin e marrëdhënieve tregtare, nuk janë hequr nga tavolina dhe mund të përdoren nëse ndihma për Gaza nuk arrin në mënyrë të qëndrueshme.

Deklarata akoma më të forta ka bërë Presidenti amerikan Donald Trump. Ai ka paralajmëruar Hamasin se ka vetëm “një shans të vogël” për të respektuar marrëveshjen, duke shtuar se nëse grupi nuk e bën këtë, do të “zhduket”.

“Ne kemi rënë dakord me Hamasin që ata do të sillen mirë. Nëse nuk e bëjnë, do të shkojmë dhe do t’i zhdukim. Nëse duhet, ata do të zhduken”, tha Trump të hënë në një konferencë për gazetarët.