... Nami.al

Zgjedhjet në Maqedoni/ Qindra shqiptarë nisen nga Vjena drejt Strugës për të mbështetur kandidatin Mendi Qyra

Një vit e gjysmë pas zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në Maqedoninë e Veriut, vendi po përgatitet për zgjedhje të reja më 19 tetor: raundin e parë të zgjedhjeve lokale.

Qytetarët do të votojnë për kryetarët e komunave dhe anëtarët e këshillave komunalë në të gjitha 80 komunat, gjithashtu dhe në kryeqytet, Shkup.

Sipas sondazheve, rezultati në shumicën e komunave me popullatë shumicë maqedonase është kryesisht i parashikueshëm. Rezultatet mbeten të paqarta edhe në disa komuna ku votuesit shqiptarë përbëjnë shumicën, duke përjashtuar komunën e Strugës.

Për Komunën e Strugës, kandidon si i pavarur biznesmeni i njohur shqiptar Mendi Qyra.

Nga sondazhet paraprake, Qyra ka një avantazh të madh ndaj kundërshtarëve dhe pritet të jetë fitues i zgjedhjeve në Komunën e Strugës.

Përveç mbështetjes në Strugë, Qyra ka një mbështetje të madhe edhe nga diaspora shqiptare e Maqedonisë së Veriut.

Qindra shqiptarë janë nisur nga Vjena dhe nga qytete të tjera evropiane drejt Strugës për të mbështetur Mendi Qyrën.

Kandidimi i tij ka ardhur në momentin e duhur si përgjigje ndaj kërkesës së vazhdueshme nga një pjesë e gjerë e qytetarëve,  komuniteti i biznesit dhe grupeve të interesit të Strugës, të cilët e shohin zotin Qyra një figurë me integritet të lartë dhe me përvojë të dëshmuar në zhvillim ekonomik dhe menaxhim të suksesshëm.

Në një moment kur Struga ka nevojë për vizion të qartë, investime strategjike dhe udhëheqje efikase, figura e Mendi Qyra vjen si një alternativë serioze për ndryshimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të kësaj komune me bukuri të rralla natyrore dhe potencial të madh ekonomik.

“Struga ka nevojë për punë, jo për fjalë. Ka nevojë për investime, jo për premtime boshe. Unë jam gati të vë përvojën time në shërbim të qytetit tim”, ka theksuar gjatë fushatës z. Qyra.

Në një intervistë televizive dhënë mbrëmjen e së premtes, kandidati i pavarur për Komunën e Strugës, Mendi Qyra, ka deklaruar se ka siguruar mbështetje nga koalicioni VLEN, si dhe në mënyrë indirekte nga Qeveria.

“Sigurisht unë jam kandidat i pavarur për kryetar komune për qytetin e Strugës. Dhe normalisht keni informata që jam i mbështetur nga koalicioni VLEN dhe njëkohësisht në mënyrë indirekte nga Qeveria,” tha Qyra.

Ai shtoi se kandidatura e tij gëzon përkrahje të gjerë nga sektorë të ndryshëm të shoqërisë.

“Jam i mbështetur po ashtu edhe nga komiteti i biznesit. Jam i mbështetur po ashtu nga forumi mbarëkombëtar i biznesit shqiptar që është shumë i fuqishëm në ekonomi. Jam i mbështetur edhe nga grupe të ndryshme të interesit të cilat kanë të bëjnë me kulturën, biznesin, sportin e të tjerë,” deklaroi ai.

Qyra theksoi se ka vendosur të garojë si kandidat i pavarur për të kërkuar votën e të gjithë qytetarëve, përtej vijave partiake.