... Nami.al

Shkelet marrëveshja? Izraeli sulmon minibusin në Gaza, 11 të vdekur nga e njëjta familje!

Njëmbëdhjetë anëtarë të një familjeje u vranë pasi Izraeli sulmoi një automjet në Zeitun, në qytetin e Gazës, duke e akuzuar atë për kalimin e të ashtuquajturës “vijë të verdhë”, e cila përcakton zonat nën kontrollin ushtarak izraelit.

Hamasi dënoi atë që e quajti një “masakër” dhe tha se familja u shënjestrua pa justifikim. Grupi i bëri thirrje Presidentit të Shteteve të Bashkuara Donald Trump dhe ndërmjetësve të bëjnë presion mbi Izraelin që të respektojë marrëveshjen e armëpushimit. Sipas Al Jazeera Izraeli ka vrarë 28 persona që kur armëpushimi hyri në fuqi.

Ndërkohë Hamasi synon të ruajë kontrollin e sigurisë në Gaza për një periudhë të përkohshme dhe nuk mund të angazhohet për çarmatim për momentin, deklaroi udhëheqësi i Hamasit, Mohammed Nazzal, në një intervistë për Reuters.

Hamasi, i cili deri më tani kishte kthyer nëntë trupa, i dorëzoi Izraelit trupin e një pengu tjetër, të identifikuar si 75-vjeçari Eliyahu Margalit. Të afërmit u njoftuan pas identifikimit formal nga ekspertët mjeko-ligjorë. IDF pohon se, sipas inteligjencës, Eliyahu u vra më 7 tetor 2023 dhe trupi i tij u soll në Gaza nga Kibbutz Nir Oz. Vdekja e tij u konfirmua nga ushtria në dhjetor 2023.

Kjo lë 18 trupa të të burgosurve të vdekur izraelitë ende në Gaza.

“Hamasi duhet të respektojë marrëveshjet dhe të kthejë eshtrat e të gjithë pengjeve izraelite të mbetura të vrarë dhe që mbahen ende në Gaza”, deklaroi zyra e Netanyahut, pas dorëzimit të trupit të Margalit.

Situata është gjithashtu e vështirë në frontin e ndihmës humanitare: kalimi i Rafah pritet të hapet të dielën, por vetëm njerëzit, jo kamionët, duhet të kalojnë atje. Ndërkohë, qeveria izraelite dëshiron të ndryshojë emrin e luftës së Gazës në “Lufta e Rilindjes”.