
...
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka komentuar tensionet e fundit mes Prishtinës dhe Tiranës, si dhe përplasjet politike ndërmjet kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe atij në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.
Në një intervistë për RTSH, Ahmeti theksoi se qëllimi i tij dhe i Ramës ka qenë gjithmonë pozitiv ndaj Kosovës dhe se asnjëherë nuk kanë vepruar kundër saj.
“As e kemi menduar, as kemi punuar ndonjëherë kundër Kosovës, përkundrazi, jemi përpjekur të punojmë për të mirën e çdo force politike në vend”, deklaroi ai.
Ahmeti zbuloi se ka pasur disa biseda me kryeministrin Rama për të gjetur mënyra për tejkalimin e mosmarrëveshjeve, duke përfshirë edhe angazhimin e partnerëve ndërkombëtarë.
“Nuk jemi njerëz pa miq në Bruksel dhe Uashington që mund të ndikojmë për Kosovën. Si unë, si Rama, ia kemi përcjellë shqetësimet tona Albin Kurtit, por nuk ka pasur reagim”, tha kreu i BDI-së, duke nënkuptuar mungesë bashkëpunimi nga pala e Prishtinës.
Lideri shqiptar nga Maqedonia e Veriut bëri thirrje për më shumë unitet rajonal, veçanërisht në kohën kur Kosova përballet me sfida në procesin e integrimit evropian.
“Na duhet shumë unitet. Ka shumë punë para Kosovës për anëtarësimin në BE. Kemi nevojë ‘sup më sup’ të jemi bashkë, sepse proceset integruese janë të rëndësishme për Kosovën, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, theksoi Ahmeti.
Duke iu referuar ndërhyrjeve të Kurtit në çështjet e Maqedonisë së Veriut, Ahmeti tha se ai vetë nuk do të vepronte në të njëjtën mënyrë.
“Unë personalisht kurrë nuk do të ndërhyja. Politika duhet të krijojë forcim dhe jo përçarje”, përfundoi ai.