
...
Sytë e shqiptarëve, por jo vetëm, do të drejtohen nga Leskovaci mbrëmjen e sotme për të përjetuar emocionet e përballjes më të rëndësishme të kualifikueseve të Botërorit në Grupin K, mes Serbisë dhe Shqipërisë.
Një 90-minutësh që kalon përtej asaj që do të prodhojë fusha, për shkak të historikut dhe tensionit që përfshin dy kombet.
Edhe mediat ndërkombëtare i kanë bërë jehonë këtij takimi, duke cekur edhe ngjarjen e turpshme të vitit 2014. Asokohe, në Beograd u luajt vetëm një pjesë loje, për t’u ndërprerë pas trazirave të shkaktuara nga tifozët vendas.
Masat e sigurisë janë ekstreme, me rreth 5 mijë forca policie, ndërsa në çatitë e ndërtesave të larta do të ketë survejim me snajperë dhe ekspertë dronësh.
Të dyja skuadrat janë në kërkim të pikëve vendimtare për një vend në fazën eliminatore të Botërorit 2026. Pas një starti mbresëlënës pa humbje, 2 fitore dhe 1 barazim, si edhe pa pësuar asnjë gol në tre ndeshjet e para, Serbia pësoi një goditje të fortë në ndeshjen e fundit, ku u mposht 5-0 nga Anglia në Beograd. Ishte humbja e parë në shtëpi që nga shtatori i vitit 2023, duke i ulur disi pretendimet e skuadrës së Dragan Stojkovi? për kreun e grupit. Megjithatë, Serbia mbetet një kundërshtar i frikshëm në fushën e saj, ku kishte mbajtur portën të paprekur në pesë ndeshje radhazi përpara përplasjes me anglezët.
Në anën tjetër, Shqipëria shkon në këtë sfidë pas një forme të qëndrueshme, me pesë ndeshje radhazi pa humbje, 3 fitore dhe 2 barazime, përfshirë një fitore minimale 1-0 ndaj Letonisë. Kuqezinjtë e Silvynhos shpresojnë të regjistrojnë fitoren e tretë radhazi për herë të parë që nga tetori i vitit 2023. Forma jashtë fushe nuk është ndër më të mirat: vetëm një pikë nga dy ndeshje larg shtëpisë në Grupin K, çka e bën sfidën e Leskovacit edhe më të ndërlikuar.
Por rezultatet pozitive në transfertat e fundit, 3 fitore në 6 takime, tregojnë se Shqipëria ka mësuar të përballet me presionin larg Tiranës. Ky do të jetë takimi i katërt zyrtar mes dy kombëtareve, me serbët që kanë fituar 1, barazuar po një dhe humbur tjetrën në dyert e CAS-it.