
...
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar sot gjatë një konference për mediat, pas takimit me kryeministrin britanik Keir Starmer se “Putini e ka zhgënjyer shumë”.
Për luftën në Ukrainë, ai tha se ishte “shumë i zhgënjyer që nuk e kemi zgjidhur ende atë… Zhgënjimi im më i madh… por shpresoj që të kemi lajme të mira për ju.”
Rusia po “vret shumë njerëz dhe po humbet edhe më shumë”.
“Forcat ruse po pësojnë humbje më të mëdha se forcat ukrainase”, shtoi Trump.
Ndërsa Starmer tha se Vladimir Putini “ka treguar fytyrën e tij të vërtetë” në ditët e fundit, duke shtuar se duhet të ushtrojnë “presion” mbi presidentin rus.
Trump dhe Starmer nuk bien dakord për shtetin palestinez
Situata në Gaza ishte një tjetër temë diskutimi, për të cilën Trump tha: “Unë thjesht dua që të gjitha pengjet të lirohen tani.”
Por presidenti amerikan shtoi se nuk ishte dakord me Keir Starmerin për një shtet palestinez.
Britania e Madhe pritet të njoftojë zyrtarisht këtë fundjavë njohjen e një shteti palestinez, dhe Starmer tha në konferencën për shtyp se ata “janë plotësisht dakord për nevojën për paqe dhe një plan veprimi sepse situata në Gaza është e papranueshme”.
Por Donald Trump kërkoi lirimin e 48 pengjeve që ende mbahen nga Hamas që nga 7 tetori, dhe shtoi: “Kam një mosmarrëveshje me kryeministrin në këtë pike, një nga pak mosmarrëveshjet tona, në fakt”.
Trump jep këshilla për emigracionin
Trump tha para gazetarëve se gjatë takimit, i kishte thënë kryeministrit Starmer se do të “ndalonte” emigracionin ilegal dhe se i kishte dhënë këshilla atij mbi temën. Ai shtoi se “nuk ka rëndësi nëse thërret ushtrinë” dhe se kjo “do të shkatërrojë… vendet nga brenda”.
Tema të tjera
Kur u pyet nëse kishte simpati për Lord Mandelson, i cili u shkarkua nga Starmer për lidhjet e shkuara me financuesin pedofil Jeffrey Epstein, presidenti thjesht tha: “Nuk e njoh atë.”
Në maj, presidenti amerikan u fotografua duke i dhënë dorën këtij anëtari të Laburistëve në zyrën Ovale, pas njoftimit të një marrëveshjeje tregtare me Britaninë.
Trump tha se lidhja midis SHBA-ve dhe Mbretërisë së Bashkuar është një lidhje e veçantë. Ai e përshkroi Starmerin si “një negociator të fortë”.
Më herët gjatë ditës, Starmer tha se ishte “një ditë e madhe për marrëdhënien speciale” ndërsa dy liderët takuan drejtues biznesesh. Ata nënshkruan një marrëveshje për prosperitet teknologjik, që ofron investime të mëdha nga kompanitë amerikane të teknologjisë në Mbretërinë e Bashkuar, dhe që do të ndihmojë në zhvillimin e kapaciteteve të inteligjencës artificiale (IA).
Starmer gjithashtu përshëndeti perspektivën e 150 miliardë paundëve që do të investohen në Britani nga kompani të mëdha amerikane si Palantir dhe Blackstone, pjesë e një pakete më të gjerë prej 250 miliardë paundësh që zyrtarët thonë se do të sjellë përfitime për të dyja palët.
Dy liderët kanë rënë dakord gjithashtu për plane bashkëpunimi më të ngushtë në energjinë bërthamore, ndërsa Trump vuri në dukje se qendrat e të dhënave të IA-së “kanë nevojë për shumë energji elektrike”.
Mbrëmjen e së mërkurës gjatë vizitës së tij shtetërore, Donald Trump dhe zonja e parë Melania Trump u pritën me një banket të shtrenjtë shtetëror në Kështjellën Windsor, të organizuar nga mbreti Charles. Gjatë asaj dite pati edhe një sërë festimesh ushtarake në kështjellë, por publiku nuk ishte i ftuar.