... Nami.al

Micotakis për Belerin: U përmbys progresi që kishim arritur me Shqipërinë!

Kryeministri i Greqisë, Kirjako Micotakis përsëriti se çështja “Beleri” do të ketë pasoja për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, duke pranuar se i gjithë progresi në marrëdhëniet mes dy vendeve është përmbysur tashmë. “Nuk do të ndalem së shtruari çështjen e Belerit në BE dhe zotit Rama” tha ai gjatë një konference me gazetarët.

“Çështja lë në hije marrëdhëniet dypalëshe me Shqipërinë dhe përmbys progresin që kishim arritur. Më shqetëson veçanërisht fakti që edhe sot Shqipëria refuzon t’i japë atij mundësinë për t’u betuar si kryetar bashkie. Është një shkelje e qartë e së drejtës ndërkombëtare dhe e ligjit ndërkombëtar dhe do të ketë implikime më të gjera për përpjekjen e Shqipërisë për t’iu afruar familjes evropiane”, u përgjigj Kryeministri. “Uroj dhe shpresoj që së shpejti të gjendet një zgjidhje, nuk do të ndalem së ngrituri çështjen në BE dhe te zoti Rama”, tha Micotakis.

Fredi Beleri u arrestua në 12 Maj me akuzën e blerjes së votave për zgjedhjet e 14 Majit në Himarë bashkë me Pandeli Kokaveshin. Athina e konsideron të paligjshëm arrestimin e tij, ndërsa kërkon që t’i jepet leje për t’u betuar.

Në anën tjetër, kryeministri Rama ka deklaruar se nuk mund të ndikojë në vendimet e gjykatave dhe të prokurorisë, që janë fryt i reformës për një drejtësi të pavarur nga politika dhe që u arrit edhe falë kontributit të Greqisë.