... Nami.al

Krimi bën kërdinë, vrasja në Lezhë një ditë pas vizitës së Taulant Ballës

“Në territorin e kësaj republike nuk mund të ketë feude apo bajraqe, ku mbi ligjin dhe mbi qytetarët të jenë të fortët dhe nuk mund të ketë individë më të fortë, sesa e bardha e vijave të rrugës apo e kuqja e ngjyrës së semaforëve”. Kështu deklaroi një ditë më parë në Lezhë ministri i ri i Brendshëm, Taulant Balla.

Dhe si për ironi të fatit, një ditë më pas Lezha është tronditur nga një atentat mafioz. Viktimë ka mbetur 42-vjeçari Nikolin Marku Lekstakaj. Me ç’duket policët as janë trimëruar hic nga vizitat e Taulant Ballës nëpër komisariate si “dhëndër i ri” i qeverisë së Edi Ramës dhe as kriminelët e të fortët nuk janë frikësuar.

Ata kryen vrasjen ditën për diell dhe janë larguar pa u ndaluar nga askush. Krimi ka marrë yrrysh në Shqipëri dhe nuk është më cështje emrash, as ministrash e as drejtuesish në polici. Vullneti për t’u ndarë me krimin mungon nga piramida më e lartë politike e deri në fund te polici më i zakonshëm.

Policia e Shtetit është e tradhtuar në misionin e saj dhe përdoret si mish për top nga politika. Vrasja e sotme në Lezhë është e fundit në serinë e shumë ngjarje të rënda që kanë ndodhur në atë zonë e në të gjithë vendin. Policia e Shtetit ndërkohë mbledh gëzhojat e krimit dhe kufomat që lënë pas plumbat.