...
Policia ka bërë publike detaje të reja nga hetimet për dhunimin e 26-vjeçarit Eduart Kuçi, ngjarje për të cilën janë arrestuar Jozefin Marku dhe Kristjan Nikolli, ndërsa dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim.
Sipas Policisë, 30-vjeçari Jozefin Marku u gjet i fshehur në tualetin e banesës së 31-vjeçarit Kristjan Nikolli. Ky i fundit u arrestua gjithashtu në kuadër të hetimeve për ngjarjen.
Në kërkim janë shpallur Anton Huli, 48 vjeç, dhe K. V., 27 vjeç.
Në kuadër të hetimeve, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, kanë kryer një sërë veprimesh hetimore për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave të përfshirë.
Sipas Policisë, Jozefin Marku dyshohet se ka kryer veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Kanosja”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Ndërhyrja e padrejtë në jetën private”.
Ndërkohë, Kristjan Nikolli, i cili dyshohet se ka drejtuar automjetin tip “Land Rover” të përdorur gjatë ngjarjes, akuzohet edhe për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, bombave ose minave dhe i municionit”, krahas veprave të tjera për të cilat po hetohet.
Gjatë kontrollit të banesës së Nikollit, efektivët kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi municioni. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar edhe automjeti tip “Land Rover”, i cili dyshohet se është përdorur gjatë ngjarjes.
Nga hetimet paraprake dyshohet se Marku dhe personat e tjerë të përfshirë kanë dhunuar Eduart Kuçin, pasi pretendohet se 26-vjeçari kishte fyer një prej tyre.
Policia vijon punën për kapjen e dy personave të shpallur në kërkim, si dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë marrë pjesë në ngjarje.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.