...
Prej ditës së sotme hyn në fuqi rregullorja e re e GJKKO, e cila kufizon praninë e mediave në këtë institucion, duke ngushtuar edhe më tej hapësirën e informimit publik. Kjo është hera e parë në 35 vite demokraci që një rregullore e tillë vendos kufizime ndaj mediave.
Kryetari i komanduar i GJKKO-së, Erion Bani, ka shpërfillur kritikat dhe kundërshtimet e gazetarëve vendas, shoqatave të tyre, si dhe organizatave ndërkombëtare, të cilat e kanë cilësuar rregulloren si një akt antikushtetues që bie ndesh me lirinë dhe të drejtën e informimit dhe “një ndër regjimet më kufizuese”.
Rregullorja është hartuar dhe miratuar pa konsultim paraprak me përfaqësuesit e medias, por as me përfaqësuesit e Dhomës së Avokatisë, të cilët gjithashtu preken nga kufizimet e reja.
Një ditë para hyrjes në fuqi të rregullores, GJKKO publikoi një “material informues” mbi mënyrën e zbatimit të saj, të strukturuar në formën e pyetjeve dhe përgjigjeve të hartuara nga vetë gjykata.
Rregullorja e re sjell kufizime për mediat, ku gazetarëve u ndalohet përdorimi i telefonave dhe regjistruesve audio. Prania e kamerave thuajse e pamundur, në rast të mungesës së vendeve në sallë, prania e gazetarëve do të bëhet me rotacion.
Media është e vetmja palë që mund t’i përcjellë publikut atë që ndodh brenda sallës së gjyqit, por me rregulloren e re GJKKO u ka vendosur gazetarëve kufizime të reja për ushtrimin e detyrës.