...
Një 53-vjeçar shqiptar ka masakruar me thikë bashkëshorten e tij në Greqi.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në zonën e Rodopeve, ku një çift me origjinë nga Shqipëria, prindër të tre fëmijëve, është përfshirë në një konflikt të dhunshëm brenda banesës së tyre.
Sipas informacioneve paraprake të bëra publike, debati mes bashkëshortëve ka agravuar duke përfunduar me një tragjedi.
Ajo që e bën edhe më tronditëse ngjarjen është fakti se konflikti dyshohet se ka ndodhur në praninë e fëmijëve të çiftit, të cilët kanë parë me sytë e tyre se si i ati vriste nënën,
Në momentet e para pas ngjarjes, vajza e madhe e familjes ka qenë ajo që ka njoftuar autoritetet greke, duke kërkuar ndërhyrjen e policisë pas asaj që kishte ndodhur në banesë.
Pas alarmit, në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë dhe ekipet e emergjencës, ndërsa gruaja është transportuar me urgjencë drejt spitalit.
Pavarësisht ndërhyrjes mjekësore dhe përpjekjeve për t’i shpëtuar jetën, gruaja nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë.
Çifti raportohet se kishte tre fëmijë, dy prej tyre të rritur dhe një i mitur, 16 vjeç.
Ngjarja në Rodope vjen vetëm pak ditë pas krimit të dyfishtë që tronditi Athinën, ku shqiptari Altin Allmuça vrau me armë zjarri 45-vjeçaren shqiptare Julieta Obzova dhe më pas kreu vetëvrasje.
Për këtë rast, mediat greke kanë raportuar se hetimet kanë nxjerrë në dritë një histori konfliktesh dhe kërcënimesh të mëparshme mes dy personave.