... Nami.al

BE kufizon mishin nga Brazili, AKU sqaron ngarkesat që hyjnë në Shqipëri

Brazili është hequr nga lista e vendeve të autorizuara nga Bashkimi Evropian për eksportin e disa kategorive të kafshëve dhe produkteve me origjinë shtazore për konsum njerëzor, përfshirë mishin e shpendëve dhe të gjedhit.

Në këtë situatë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka sqaruar rregullat që do të zbatohen edhe për ngarkesat me origjinë braziliane që mbërrijnë në Shqipëri pas datës 3 shtator 2026.

Sipas AKU-së, ngarkesat e mishit të pulave dhe gjedhit për të cilat certifikata zyrtare shëndetësore veterinare është nënshkruar dhe/ose lëshuar përpara 3 shtatorit 2026 do të vijojnë të pranohen, edhe nëse ato mbërrijnë në territorin shqiptar pas kësaj date.

Sqarimi bazohet në interpretimin e dhënë nga përfaqësuesit e Komisionit Evropian në takimin e 28 majit në Bruksel me UECBV, ku u përcaktua se kërkesat e reja nuk do të zbatohen në mënyrë retroaktive për eksportet e kryera përpara hyrjes në fuqi të ndryshimit.

AKU thekson se vendimi lidhet me ndryshimet në Rregulloren Zbatuese të Komisionit (BE) 2026/1189, e cila ndryshon Rregulloren 2021/405, ndërsa në Shqipëri importi i mishit nga Brazili kushtëzohet gjithashtu nga rregullat kombëtare dhe miratimi i zonave dhe stabilimenteve prodhuese nga BE-ja.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit deklaron se do të vijojë kontrollet dhe monitorimin e ngarkesave në pikat kufitare, me synim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit publik.

Njoftimi i AKU:

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit deklaron se do të vijojë monitorimin dhe zbatimin e kërkesave ligjore, me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit publik.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në vijim të ndryshimeve në Rregulloren Zbatuese të Komisionit (BE) 2026/1189, me të cilën është ndryshuar Rregullorja Zbatuese e Komisionit (BE) 2021/405, bën me dije se Brazili është hequr nga lista e vendeve të treta ose rajoneve të tyre të autorizuara për hyrjen në Bashkimin Evropian të dërgesave të kategorive të caktuara të kafshëve dhe produkteve me origjinë shtazore të destinuara për konsum njerëzor.

Gjithashtu, referuar edhe Urdhrit të Ministrit nr. 294, datë 13.06.2006, “Për importin e mishit nga Republika Federative e Brazilit”, importimi i këtyre produkteve kushtëzohet nga miratimi prej Bashkimit Evropian i zonave dhe stabilimenteve të prodhimit.

Në kuadër të zbatimit të ndryshimeve, bëjmë me dije se më 28 maj 2026, në Bruksel, është zhvilluar një takim ndërmjet përfaqësuesve të UECBV (Bashkimi Evropian i Tregtisë së Blegtorisë dhe Mishit) dhe DG SANTE, gjatë të cilit përfaqësuesit e Komisionit Evropian kanë sqaruar se ngarkesat për të cilat certifikata përkatëse është lëshuar përpara datës 3 shtator 2026 do të vijojnë të pranohen në Pikat e Kontrollit Kufitar (BCP) të Bashkimit Evropian, pasi kërkesat e reja nuk zbatohen për eksportet nga vendet e treta të kryera përpara kësaj date.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit sqaron se ngarkesat e mishit të shpendëve dhe të gjedhit me origjinë nga Brazili, për të cilat certifikata shëndetësore veterinare zyrtare është nënshkruar dhe/ose lëshuar përpara datës 3 shtator 2026, do të vijojnë të pranohen në Pikat e Kontrollit Kufitar, edhe në rast se këto ngarkesa mbërrijnë në territorin e Republikës së Shqipërisë pas datës 3 shtator 2026.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit do të vijojë monitorimin dhe zbatimin e kërkesave të legjislacionit në fuqi, me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit publik.