...
Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka prezantuar paraprakisht në Zagreb propozimin e Komisionit Evropian për rishikimin e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian, duke vendosur në fokus integrimin gradual të vendeve kandidate, forcimin e kontrolleve demokratike dhe përshtatjen e institucioneve të BE-së për një Union me më shumë se 30 shtete anëtare.
Në fjalimin e mbajtur në Konferencën e Ambasadorëve Kroatë, Kos deklaroi se realiteti gjeopolitik ka ndryshuar dhe se procesi i zgjerimit duhet të përshtatet me këto zhvillime.
“Bota ka ndryshuar. Dhe zgjerimi duhet të ndryshojë bashkë me të”, u shpreh ajo.
Sipas saj, Komisioni Evropian synon të ndërtojë konsensus në nivelin më të lartë të BE-së përmes katër çështjeve kryesore: reformave të brendshme pa ndryshime të traktateve, forcimit të mbrojtjeve demokratike, një metodologjie të re për integrimin gradual dhe masave kalimtare gjithëpërfshirëse.
Reformat e brendshme
Një nga sfidat kryesore lidhet me mënyrën se si BE-ja do të funksionojë nëse numri i vendeve anëtare rritet mbi 30. Kos argumentoi se Unioni do të ketë nevojë për vendimmarrje më të shpejtë dhe më fleksibël.
Sipas saj, ndryshime në proceset e vendimmarrjes dhe në organizimin institucional mund të bëhen pa ndryshuar traktatet e BE-së, duke shmangur një proces të gjatë negociatash dhe ratifikimesh.
Kos sugjeroi gjithashtu reduktimin e rasteve kur një shtet i vetëm mund të bllokojë vendimmarrjen e të gjithë Unionit, si dhe një përdorim më të madh të mekanizmit të “bashkëpunimit të zgjeruar”, i cili u lejon një grupi vendesh anëtare të ecë përpara me iniciativa të caktuara.
Mbrojtje më të forta demokratike
Një tjetër pikë e rëndësishme është forcimi i mekanizmave që garantojnë respektimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës edhe pas anëtarësimit.
Kos paralajmëroi se BE-ja duhet të sigurohet që vendet e reja të mos kthehen pas në standardet demokratike pas anëtarësimit.
“Duhet të sigurohemi që nuk lejojmë të hyjnë kuajt e Trojës. Jo sot, jo pas 10 apo 20 vjetësh”, deklaroi ajo, duke argumentuar se përvoja e viteve të fundit ka treguar nevojën për mekanizma më të fortë parandalues dhe korrigjues.
Kjo ide, megjithatë, mbetet e diskutueshme, pasi ngre pyetje mbi parimin e trajtimit të barabartë të të gjitha shteteve anëtare dhe rrezikun e krijimit të një anëtarësimi me “dy nivele”.
Integrimi gradual
Komisionerja evropiane kërkoi gjithashtu një ndryshim të metodologjisë së zgjerimit, duke propozuar një qasje më graduale që do t’u mundësonte vendeve kandidate të përfitonin nga disa avantazhe të BE-së përpara anëtarësimit të plotë.
Sipas saj, procesi aktual “gjithçka ose asgjë” nuk i përgjigjet më realitetit të sotëm, sidomos në një kohë kur negociatat mund të zgjasin me vite dhe vendet kandidate mund të përballen me presione të jashtme politike.
Kos përmendi si shembuj përfitimet që tashmë mund të marrin vendet aspirante, si përfshirja në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) dhe lidhja me rrjetet energjetike të BE-së, por theksoi se këto hapa nuk janë të mjaftueshëm.
Masat kalimtare
Pika e katërt lidhet me mënyrën se si anëtarësimi i vendeve të reja do të ndikojë tek shtetet aktuale anëtare dhe tek buxheti i BE-së.
Kos tha se Brukseli duhet të ketë mekanizma kalimtarë për të garantuar që integrimi i vendeve të reja të bëhet pa probleme dhe që buxheti i Unionit të vazhdojë të financojë prioritetet ekzistuese.
Çështja e financimit të vendeve të reja anëtare pritet të jetë një prej pikave më të ndërlikuara në negociatat për Kornizën Financiare Shumëvjeçare të ardhshme.
Në fjalimin e saj, Kos përmendi në mënyrë të veçantë progresin e Malit të Zi, avancimin e Shqipërisë në përmbushjen e standardeve të sundimit të ligjit, përparimet teknike të Ukrainës dhe Moldavisë, si dhe rikthimin e Islandës në procesin e anëtarësimit.
Sipas Komisioneres, BE-ja ndodhet përballë një momenti të ri të rëndësishëm për zgjerimin, të cilin ajo e krahasoi me një “Moment të Helsinkit”, duke iu referuar procesit që i parapriu zgjerimit të madh të Unionit pas Luftës së Ftohtë.
Komisioni Evropian pritet ta avancojë diskutimin për rishikimin e politikës së zgjerimit përpara një diskutimi të rëndësishëm mes liderëve të BE-së në tetor.