...
Policia e Sarandës ka gjetur thikën me të cilën u qëllua për vdekje 20-vjeçari portugez Luis Miguel Varela Mendes nga 29-vjeçari Sokrat Vata.
Arma e krimit është gjetur në disa ferra ku autori e ka hedhur pas ngjarjes.
Sipas dinamikës së zbardhur deri më tani, konflikti ka nisur në ambientet e kompleksit “Principote” dhe më pas ka vijuar jashtë lokalit. Vata, i cili ishte punonjës sigurie në kompleks, dyshohet se e ka goditur me thikë turistin portugez, ndërsa një tjetër person dyshohet se e ka goditur viktimën me grushte.
Gjetja e armës së ftohtë pritet të ketë rëndësi të veçantë për grupin hetimor, pasi ajo do t’i nënshtrohet ekzaminimeve kriminalistike për të përcaktuar nëse përputhet me plagët e shkaktuara viktimës dhe për të evidentuar gjurmë të mundshme biologjike apo materiale të tjera.
Sokrat Vata u arrestua më 18 gusht në Levan të Fierit, teksa ishte fshehur në bagazhin e një automjeti, ndërsa ndaj tij Gjykata e Sarandës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”.
Vata ka dhënë një tjetër version për ngjarjen, duke pretenduar se thika i përkiste turistit portugez dhe se ai ia kishte marrë nga dora përpara se ta godiste.