...
Shkrirja e Bashkisë Poliçan/ Këshilli bashkiak voton kundër
Bashkia Poliçan ka zhvilluar sot një mbledhje emergjente të Këshillit Bashkiak.
Qëllimi i kësaj mbledhjeje ka qenë miratimi me votat e këshillit i mosshkrirjes së bashkisë Poliçan.
Fillimisht, në mbledhjen e drejtuar nga kryetarja e Këshillit Bashkiak Poliçan, Mimoza Lulaj, ka qenë kryebashkiaku i Poliçanit, Adriatik Zotkaj, që pasi ka argumentuar se asnjë nga pikat e propozuara në relacionin e qeverisë për shkrirjen e bashkisë Poliçan nuk qëndron, ka deklaruar se “do të jetë një turp për Parlamentin nëse voton pro shkrirjes së kësaj bashkie”.
Zotkaj ka theksuar në fjalën e tij se, ndarja dhe bashkimi i një bashkie bëhet vetëm me pëlqimin e komunitetit dhe komuniteti është kundër.
Ai ka theksuar se, bashkia Poliçan duhet të jetë bashki pasi aktualisht ka 318 biznese që lulëzojnë çdo ditë e më tepër, ka turizëm malor dhe industrial, ka implementuar projekte për rininë, moshën e tretë etj dhe për miratimin për shkrirjen e saj janë përdorur dy standarde.
Më pas, këshilltarët u njohën me raportin e Komisionit e ngritur nga Këshilli Bashkiak për kryerjen e dëgjesave publike me qytetarët, ku shprehej indinjata e tyre të thellë për këtë propozim të qeverisë, që e cilësojnë absurd dhe të padrejtë.
Pasi përfunduan edhe diskutimet e këshilltarëve bashkiakë, të gjithë këshilltarët (15) konfirmuan dorëheqjen e tyre, në rast se votohet në parlament shkrirja e bashkisë Poliçan.
Në përfundim të mbledhjes,u kalua në votim dhe me votat e 15 anëtarëve të Këshillit Bashkiak u votua “kundër” projekt-ligjit për Ndarjen Administrative Territoriale, që propozon shkrirjen e bashkisë Poliçan dhe bashkimin me Beratin.