... Nami.al

“E kemi identifikuar autorin, po punojmë ta kapim” – Policia në kërkim të atentatorit të Mir Bitocit, në momentin e qitjes iu bllokua arma

Policia e Shtetit ka reaguar lidhur me ngjarjen e ndodhur këtë të shtunë në qendër të qytetit të Elbasanit, ku një shtetas tentoi që të qëllojë me armë zjarri një tjetër person.

Sipas njoftimit të policisë mësohet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:50, ku autori, identiteti i të cilit është zbuluar nga autoritetet, i është afruar një tjetër shtetasi dhe ka tentuar që ta qëllojë.

Burime për mediat bëjnë me dije se autori ka shkelur këmbëzën e armës, mirëpo ajo është bllokuar.

Fatmirësisht si pasojë e kësaj ngjarje nuk pati persona të lënduar, ndërkohë që vlen të theksohet se e gjithë skena u regjistrua në ambientet e një lokali i cili ishte i mbushur plot me qytetarë.

Policia ka nisur hetimet dhe ka identifikuar personin e dyshuar, ndërsa po punohet për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Grupi hetimor po mbledh dëshmi dhe prova për të zbardhur dinamikën e ngjarjes, ndërsa ende nuk dihen rrethanat apo motivi i konfliktit.

Më herët u raportua se personi i cili dyshohet se do të vritej rezulton të jetë Mir Bitoci. Për më shumë detaje pritet një tjetër reagim nga policia, për të hedhur më tepër dritë sa i përket kësaj ngjarje.