...
Policia e Kosovës ka dhënë detaje për arrestimin e Fehim Salit, shtetasit të Kosovës në pikën kufitare në Merdare, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Spiunazh”.
Arrestimi u krye në kuadër të një operacioni të përbashkët të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale.
Sipas informacioneve të bëra publike, Sali dyshohet se për një periudhë të gjatë ka bashkëpunuar me Agjencinë serbe të Inteligjencës (BIA) dhe se ka pasur kontakte me zyrtarin e saj, Zhelimir Matoviq.
I dyshuari punonte si arsimtar në shkollën serbe “9 Maji” në Rapçë të Dragashit, ndërsa më herët ka qenë i angazhuar në Këshillin Konsultativ për Komunitete pranë Zyrës së Presidentes së Kosovës.
Ai dyshohet gjithashtu se është marrë me ndërmjetësimin për prona dhe dokumente serbe, si dhe me grumbullimin e votave për mbështetësit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.
Pas arrestimit në Merdare, hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda kanë zbatuar urdhërkontrollin në vendbanimin e të dyshuarit në Dragash.
Sipas Policisë së Kosovës, gjatë bastisjes janë sekuestruar 39 mijë e 500 euro para cash, 500 dinarë, katër telefona celularë dhe dokumente të ndryshme që konsiderohen relevante për rastin.
Me aktvendim të Prokurorisë Speciale, i dyshuari është ndaluar për 48 orë. Brenda afatit ligjor, Prokuroria Speciale pritet të paraqesë kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tij.