... Nami.al

Situata e zjarreve: 45 vatra në 24 orë, 12 aktive – Ndërhyrje nga toka dhe ajri

Situata e zjarreve në vend vijon të jetë problematike. Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar në total 45 vatra zjarri, nga të cilat 12 vijojnë të jenë aktive dhe 1 është nën monitorim.

Sipas Agjencisë për Media dhe Informim (MIA) dhe Ministrisë së Mbrojtjes, në operacionet për shuarjen e flakëve janë angazhuar 839 forca operacionale dhe 72 automjete zjarrfikëse. Përballë përhapjes së flakëve, në mbështetje të forcave vendore janë përfshirë edhe 250 efektivë të Forcave të Armatosura (FA), ndërsa në terren vijojnë të operojnë aktivisht 167 efektivë të FA-së, 3 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”.

Deri më tani raportohen rreth 418 hektarë sipërfaqe e djegur dhe 250 rrënjë ullinj të dëmtuara. Prioritet kryesor i strukturave të Mbrojtjes Civile mbetet mbrojtja e jetës së qytetarëve, banesave dhe zonave të banuara.

Pasqyra e Vatrave Kryesore në Terren:

Tiranë (Dajt dhe Priskë e Madhe): Vijon puna me mjete tokësore dhe ndërhyrje nga ajri me dy helikopterë në pyllin me pisha pranë fabrikës së ujit Selita dhe mbi tunelet e Qafë-Mollës. Në Priskë të Madhe zjarri është shtrirë drejt Gurrës, Farkës dhe Lundrës. Nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Patos–Mallakastër (Drenie–Lofkend–Ngracije): Operacioni mbështetet nga forcat zjarrfikëse, strukturat bashkiake dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura.

Krujë: Situata në lagjen Abaze po mbështetet nga 57 efektivë të FA-së dhe helikopterë për mbrojtjen e zonave të banuara, ndërsa në Krastë dhe Halil operojnë forcat e ADZM-së dhe 58 efektivë ushtarakë.

Përmet: Dy vatra aktive në malin e Nëmerçkës (mbi Biovizhdë) dhe malin Dhëmbel (mbi Badilonjë), në territore të vështira malore pa rrezik për banesat.

Gurë-Lurë (Dibër): Operacion i gjerë nga toka dhe ajri me angazhimin e strukturave vendore, Policisë së Shtetit, 50 efektivëve të FA-së dhe dy avionëve “Air Tractor”.

Devoll, Mirditë dhe Vau i Dejës: Vatra aktive në malin e Moravës (Devoll), në Valcë–Tenë dhe Trojë (Mirditë), si dhe në një pyll me pisha në Vau të Dejës, ku po ndërhyhet me mjete zjarrfikëse dhe forca vendore. Vatra në Vilëz (Kurbin) është vënë nën kontroll dhe ndodhet në fazë monitorimi.