... Nami.al

Digjet Parku Kombëtar i Lurës, zjarr edhe në kodrat e Tiranës, sërish alarm në Krujë, flakët zbresin drejt shtëpive

Situata me zjarret në vendin tonë është në nivele shqetësuese.

Një nga zonat më problematike mbetet Parku Kombëtar i Lurës, ku flakët vijojnë të përhapen prej dy ditësh, madje në pyje me bredha që nuk janë djegur kurrë më parë. Në terren janë angazhuar mbi 220 forca, mes tyre zjarrfikës, efektivë të Policisë, Forcave të Armatosura, Emergjencave Civile dhe vullnetarë. Ndërhyrja po kryhet edhe nga ajri me dy avionë Air Tractor.

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka publikuar pamje nga operacioni në Lurë, duke thënë se lufta me flakët po vijon intensivisht, nën temperatura ekstreme. Ai ka bërë apel që Policia që të evidentojë dhe të ndjekë penalisht autorët e zjarrvënieve të qëllimshme.

Delikate raportohet gjendja edhe në zonat periferike të Tiranës. Flakët janë përhapur në kodrën mes Priskës dhe Farkës. Në zonë ndodhen zjarrfikësit, ndërsa po ndërhyhet edhe nga ajri me helikopter.

Megjithatë, për momentin, nuk ka rrezik të drejtpërdrejtë për banesat.

Në Dajt, operacioni vijon mbi tunelet e Qafë-Mollës me forca në terren dhe dy helikopterë.

Zjarri vijon të jetë aktiv edhe në Drenie të Patosit, ndërsa në Krujë janë evidentuar disa vatra. Në lagjen Boje, zjarrfikësit janë pozicionuar pranë banesave, ndërsa një helikopter po ndërhyn nga ajri.

Vatra aktive ka edhe në Përmet, në malin e Nëmerçkës dhe Malin e Dhëmbelit. Ndërkohë, vatra në Malin e Moravës në Devoll është izoluar dhe po mbahet nën monitorim.