...
Sekretariati i Etikës ka vendosur përjashtimin me 60 ditë të deputetit Agron Shehaj pasi grabiti marrëveshjen konfidenciale me SHBA-në dhe iku me vrap nga Kuvendi. Ndërkohë që këshilltarja që ndoqi nga pas deputetin, u rrëzua nga shkallët dhe pësoi lëndime të rënda. Ndëshkimi do jetë në fuqi nga shtatori.
Sekretariati i Etikës ka shqyrtuar vetëm pjesën për përjashtimin ndërsa sa i takon referimit në SPAK nuk është në kompetencat e këtij organi. Deputeti Ulsi Manja bëri me dije se PS do të referojë në SPAK materialet për Shehajn.
Masa disiplinore erdhi pas kërkesës së Partisë Socialiste, e cila akuzoi Shehajn për incidentin e ndodhur dje në ambientet e Kuvendit gjatë shqyrtimit të marrëveshjes për huanë direkte mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në kuadër të financimit të jashtëm ushtarak.
Sipas socialistëve, dokumenti në fjalë përmbante informacion të klasifikuar dhe mund të konsultohej vetëm në ambientet e përcaktuara nga Kuvendi, pasi deputetët të kishin nënshkruar deklaratën e konfidencialitetit.
Në kërkesën e PS-së thuhet se Agron Shehaj ka kërkuar të marrë me vete kopjen fizike të dokumentit, por është kundërshtuar nga stafi i Kuvendit. Më tej deputeti e ka marrë dokumentin me forcë dhe është larguar me të.
Po sipas shkresës së depozituar, një këshilltare e Kuvendit, e cila tentoi të rimerrte dokumentin, është rrëzuar në shkallë gjatë ndjekjes së deputetit dhe ka pësuar dëmtime.
“Deputeti Agron Shehaj, me sjelljet e tij të përsëritura të dhunshme dhe agresive, ka vënë në rrezik këshilltaren, e cila është gjendur e pambrojtur përballë kësaj sjelljeje të papranueshme”, thuhej në kërkesën e socialistëve.
Nga ana tjetër, Agron Shehaj ka mohuar akuzat, duke deklaruar se veprimet e tij kishin për qëllim denoncimin e mungesës së transparencës lidhur me dokumentacionin e marrëveshjes dhe shkëljen e Kushtetutës për kalimin me procedurë të përshpejtuar të ligjit.