...
Dy persona, vëlla e motër, janë arrestuar pasi dyshohet se kultivonin një numër të konsiderueshëm bimësh dhe fidanësh kanabisi.
Në kuadër të operacionit të koduar “Monitorimi”, policia ka asgjësuar bimët narkotike të gjetura në terren, ndërsa nën hetim në gjendje të lirë janë edhe kryeplaku i fshatit dhe vrojtuesi i pyjeve, të dyshuar për shpërdorim detyre.
Ndërkohë që janë prangosur 2 shtetas (vëlla e motër), Pal dhe Agetina Pepaj, të dyshuar si autorë të kultivimit të bimëve narkotike Cannabis Sativa, në fshatin Kroni i Madh.
Njoftimi:
“Finalizohet operacioni i koduar “Monitorimi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike.
Identifikohen, kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas (vëlla e motër), të dyshuar si autorë të kultivimit të një numri të konsiderueshëm bimësh dhe fidanësh të dyshuar narkotikë Cannabis Sativa, në fshatin Kroni i Madh.
Procedohen në gjendje të lirë kryeplaku i fshatit Kroni i Madh dhe vrojtuesi i pyjeve, për shpërdorim detyre.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, si rezultat i kontrolleve intensive në terren dhe i hetimeve të kryera me metoda proaktive, për evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, identifikimin dhe arrestimin e autorëve, finalizuan operacionin e koduar “Monitorimi”.
Gjatë operacionit, në territorin e fshatit Kroni i Madh, u gjetën të kultivuara një numër i konsiderueshëm bimësh dhe fidanësh të dyshuar narkotikë Cannabis Sativa, të cilët u asgjësuan nëpërmjet djegies, përveç një pjese që u sekuestrua si provë materiale.
Si rezultat i veprimeve hetimore, u identifikuan, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit P. P., 33 vjeç, dhe A. P., 43 vjeçe (vëlla e motër), banues në fshatin Kroni i Madh, të dyshuar si autorë të kultivimit.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit D. D., 51 vjeç, kryeplak i fshatit Kroni i Madh, dhe N. G., 56 vjeç, vrojtues pyjesh, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Kontrollet vijojnë në të gjithë territorin e qarkut Shkodër, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.