...
Në një deklaratë që padyshim e godet krenarinë e Donald Trumpit, kryenegocjatori iranian Mohammad Bagher Ghalibaf, e cilësoi marrëveshjen mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara për fundin e luftës si një “shpallje të kapitullimit të Amerikës”.
Duke folur në një konferencë në Azerbajxhan të transmetuar dretpërdrejtë nga televizioni shtetëror iranian, Ghalibaf tha se mirëkuptimi i arritur në Islamabad nuk ishte rezultat i presioneve apo detyrimeve, por rrjedhojë e qëndresës dhe forcës së popullit iranian.
“Suksesi i këtij procesi nuk erdhi nga presioni apo imponimi. Ai erdhi nga rezistenca dhe autoriteti i kombit të guximshëm iranian”, shprehet Mohammad Bagher Ghalibaf, kryenegociator i Iranit.
Sipas Ghalibaf, memorandumi i mirëkuptimit i arritur në Islamabad përfaqëson në thelb një pranim të dështimit nga ana e Shteteve të Bashkuara. Ai shtoi se siguria në Lindjen e Mesme duhet të garantohet nga vetë vendet e rajonit, pa ndërhyrje nga jashtë.
Pohimet e tij vijnë në një kohë kur marrëveshja mes Teheranit dhe Uashingtonit po analizohet gjerësisht për ndikimin që mund të ketë tek ekuilibrat politikë dhe ata të sigurisë në rajon. Raundi i parë i bisedimeve mes SHBA-së dhe Iranit në Zvicër përfundoi të martën, dhe u duk se pati afrim të qëndrimeve.
Shtetet ndërmjetësuese thanë se atmosfera e bisedimeve ishte konstruktive dhe u shprehën për “përparime inkurajuese”.