... Nami.al

Militantët e Gazës hyjnë në Izrael pas sulmit masiv me raketa

Sirenat e sulmit ajror u dëgjuan herët këtë mëngjes në Izraelin jugor dhe qendror pas një sulmi me raketa nga Rripi i Gazës, thanë dëshmitarët.

Autoritetet izraelite thonë se një person është vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur. Hamasi mori përgjegjësinë për sulmin. Ushtria izraelite njoftoi se ka nisur sulmet ajrore në Rripin e Gazës.

Banorët e Rripit të Gazës thanë se dëgjuan përleshje të armatosura pranë qytetit Khan Yunis, përgjatë gardhit që ndan territorin nga zona e kontrolluar nga Izraeli, raportoi Reuters.

Shërbimet e urgjencës izraelite njoftuan se në pjesën jugore të vendit, disa ekipe janë dërguar në terren dhe qytetarët janë paralajmëruar të mos largohen nga shtëpitë e tyre. Reuters raporton se pjesëtarët e forcave palestineze kanë hyrë në territorin e Izraelit jugor.

Ushtria izraelite njoftoi se nisi sulmet ajrore në Rripin e Gazës, dy orë pasi Hamasi nisi një sulm të befasishëm me raketa ndaj Izraelit nga territori. Ministri i Mbrojtjes Yoav Galan njoftoi mobilizimin e rezervistëve, pas një sulmi të befasishëm të Hamasit ndaj Izraelit, njoftoi zyra e tij.