... Nami.al

Shisnin drogë pranë shkollave në Shkodër, 13 persona bien në prangat e policisë

Policia e Shkodrës ka finalizuar operacionin e koduar “Shkolla të Pastra”, pas tre muajsh hetime me metoda proaktive, duke goditur disa grupe që dyshohet se shpërndanin lëndë narkotike në doza, kryesisht pranë shkollave dhe në ambiente të tjera publike të qytetit.

Në kuadër të operacionit janë arrestuar 13 persona, tre prej të cilëve me precedentë kriminalë për prodhim dhe shitje të narkotikëve.

Te arrestuarit janë: Qamil Gusha, Fatjon Gokaj, Martin Pezerja, Abedin Sufaj, Lisart Draçini, Emanuel Marku, Sokol Kuçi, Izmir Tafili, Edilberto Fusha, Emiljan Fusha, Gjonfranko Krahishta, Lionis Marku, Mariglen Gjergji.

Sipas Policisë, të ndaluarit dyshohet se vepronin të organizuar në disa grupe, duke shitur kanabis në doza të vogla pranë institucioneve arsimore dhe në hapësira të tjera publike në Shkodër.

Gjatë kontrolleve në banesat e të arrestuarve, uniformat blu kanë sekuestruar 1 kilogram e 670 gramë lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, një pjesë e së cilës ishte ndarë në doza dhe ambalazhuar në qese farmaceutike.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar gjithashtu dy automjete, 14 telefona celularë, tri peshore elektronike dhe qese farmaceutike që dyshohet se përdoreshin për ndarjen dhe paketimin e drogës.

Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa 13 personat dyshohen për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim