Të paktën 490,334 ushtarë rusë kanë humbur jetën që nga fillimi i luftës në Ukrainë në vitin 2022, sipas statistikave të qeverisë ruse.
Të dhënat e publikuara nga Rosstat, agjencia ruse e statistikave, tregojnë se pushtimi në shkallë të gjerë i Ukrainës ka ndryshuar rrënjësisht modelet e vdekshmërisë në Rusi, duke dëshmuar koston e lartë njerëzore të një lufte që Vladimir Putin kishte parashikuar se do të zgjaste vetëm disa ditë, por që tashmë po i afrohet vitit të pestë.
BBC Russian ka siguruar akses në më shumë se 11 milionë regjistrime të vdekjeve, nga viti 2021 deri në shtator 2026, pas një sulmi kibernetik të kryer nga grupi bjellorus Cyber Partisans BY dhe grupi ukrainas Silent Crow.
Agjencia ruse e statistikave pranoi se kishte qenë objekt i një sulmi kibernetik, por mohoi që të ishin publikuar të dhëna të mbrojtura.
Së bashku me median e pavarur ruse Mediazona, BBC Russian ka krahasuar të dhënat e Rosstat me listën e saj të vdekjeve të konfirmuara të ushtarakëve rusë, të mbledhura nga burime të hapura që prej fillimit të pushtimit. Nga ky krahasim, janë gjetur përputhje për 90% të regjistrimeve.
ë dhënat tregojnë se 65% e rusëve të moshës 18 deri në 24 vjeç, që humbën jetën në vitin 2025, vdiqën në luftë. Për grupmoshën 25-34 vjeç, kjo shifër ishte 59%. Vetëm te grupmosha 45-54 vjeç sëmundjet kardiovaskulare shkaktojnë më shumë viktima në Rusi sesa konflikti.
Të dhënat zbulojnë gjithashtu përmasat e humbjeve në zona të caktuara të Ukrainës. Rreth 20 mijë ushtarë rusë humbën jetën në luftimet për kontrollin e 10 fshatrave ukrainase, të cilat para luftës kishin një popullsi të përbashkët prej 12 mijë banorësh.
Gjatë luftimeve për një fshat të vogël të quajtur Andriivka, në jug të qytetit të Bakhmutit, në rajonin e Donetskut, humbën jetën 1,122 ushtarë rusë. Para luftës, në këtë fshat jetonin vetëm 74 persona.
