Po mbahet sot në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) seanca gjyqësore për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, i cili nuk është paraqitur në sallën e gjyqit për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.
Përmes avokatit të tij, Plarent Ndreca, Veliaj i ka përcjellë gjykatës një deklaratë nga Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP), ku shpjegon arsyet e mungesës dhe kërkon ndërhyrjen e gjykatës për trajtimin e tij shëndetësor.
Në deklaratën e lexuar në seancë, Veliaj shprehet se, pavarësisht dëshirës për të marrë pjesë në procesin gjyqësor, e ka të pamundur për shkak të këmbës së thyer.
Ai bëri me dije se mbrojtja do t’u vërë në dispozicion gjyqtarëve dokumentacionin shëndetësor, ndërsa kërkoi që ndërhyrja kirurgjikale të kryhet nga një mjek në spitalin e zgjedhur nga familja e tij.
Megjithë vullnetit tim për të marrë pjesë në seancë gjyqësore, e kam të pamundur për shkak të këmbës së thyer. Në vijim të shkresës suaj dhe të prokurorisë, mbrojtja ime do ju vërë në dispozicion disa shkresa shëndetësore. Jam i ndërgjegjshëm kush më transferoi dhe kush do të vendosë për shëndetin tim. Nuk kërkoj as botox as mbjellje flokësh as të zbardh dhëmbët, por të operohem nga një mjek në spitalin që zgjedh familja ime. Nun duhet të vendosë askush kush më fut në narkozë. Ndaj kërkoj nga GJKKO të ndërhyjë dhe të marrë një vendim.
Nga ana tjetër, avokati Plarent Ndreca kundërshtoi vijimin e seancës, duke argumentuar se mbrojtja nuk mund të ushtrojë detyrën pa u konsultuar me klientin.
“Nuk jemi në kushtet për të vijuar seancën pasi Veliaj ka shprehur vullnetin për të marrë pjesë në seancë. Tentova dje ta takoja dhe nuk jam lejuar nga IEVP Fier. Kam kërkuar shpjegime dhe nuk më janë dhënë. Jam i pamundur ta vazhdoj mbrojtjen pa u konsultuar me klientin. Janë disa elementë që duhet t’i konfirmoj me klientin. Ne e kemi bërë të qartë të gjithë kronologjinë e situatës shëndetësore të Veliajt. Kemi kërkuar nga ju të vendosni për këtë histori çnjerëzore.
Gjatë seancës, gjyqtarët kërkuan sqarime nëse Veliaj e kishte të pamundur të lëvizte. Në përgjigje, Ndreca deklaroi se klienti i tij është me këmbë të thyer dhe lëviz gjatë gjithë kohës me paterica.
Ndërsa prokurori Ols Dado tha se Prokuroria i ka informacionet e veta për këtë situatë.
“Duhet të vijojë seanca, nuk provohet që e ka të pamundur të marrë pjesë në seancë gjyqësore”, tha ai.
“Në letër, Veliaj nuk e kushtëzon vijimin e seancës. Herën e fundit për këtë u shty seanca që mbrojtja të konsultohej me të. Një javë ishte e mjaftueshme që avokati të konsultohej. Nuk më duket situatë serioze, as ligjore. E kemi dërguar çështjen që në shtator 2025, akoma jemi.. shtyrjet janë bërë për shkaqe të të pandehurve apo mbrojtjes. Asnjëherë nuk është bërë shkak spak. Ne jemi këtu që të gjykohet çështja”, tha Altin Dumani.
