16-vjeçari Arjon Xhezairi ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë, një javë pasi u aksidentua me çiklomotor në zonën e Balldres, në Lezhë. I mituri nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të rënda të marra nga aksidenti i ndodhur më 26 tetor.
Ngjarja u regjistrua rreth orës 14:25, në aksin rrugor Balldre–Rraboshtë, teksa 16-vjeçari po kthehej nga shkolla. Sipas të dhënave paraprake të Policisë, dyshohet se i mituri ka humbur kontrollin mbi çiklomotorin që drejtonte dhe është rrëzuar në rrugë.
Si pasojë e aksidentit, ai pësoi dëmtime të rënda trupore dhe u transportua me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku mori ndihmën e nevojshme mjekësore.
Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta mbajtur në jetë, 16-vjeçari ka ndërruar jetë ditën e sotme, duke mos i mbijetuar plagëve të marra në aksident.
