... Nami.al

U plagos në sy gjatë protestës, Prokuroria e Tiranës nis hetim për rastin e Erion Vishkullit dhe dhunën e policisë në protesta

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet kryesisht për plagosjen e 28-vjeçarit Erion Vishkulli, i cili mbeti i dëmtuar në sy gjatë protestës së zhvilluar të shtunën në kryeqytet. I riu dyshohet se u godit me plumb gome dhe është dërguar në Itali për mjekim të specializuar.

Sipas njoftimit zyrtar, organi i akuzës ka regjistruar procedimin penal për veprat penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “kryerjes së veprimeve arbitrare”. Po ashtu po hetohet përdorimi jo proporcional i forcës nga policia.

Në kuadër të hetimeve, prokuroria ka administruar pamjet filmike të vëna në dispozicion nga Banka e Shqipërisë, si dhe kartelën mjekësore të të riut pranë Spitalit Universitar të Traumës. Gjithashtu, po kryhen veprime hetimore në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP).

“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë bën me dije se ka regjistruar kryesisht procedimin penal nr.7806, të vitit 2026, për veprat penale të parashikuara nga nenet 248 dhe 250 të Kodit Penal, në lidhje me dëmtimin e shtetasit E.V. gjatë protestave të zhvilluara në kryeqytet.

Menjëherë pas ngjarjes të regjistruar më 24.10.2026, nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë janë kryer veprimet e nevojshme hetimore, ndër të cilat si administrimi i pamjeve filmike të vëna në dispozicion nga Banka e Shqipërisë, marrja e kartelës mjekësore pranë Spitalit Universitar të Traumës, si dhe kryerja e veprimeve hetimore në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP).

Gjithashtu, në kuadër të hetimeve po punohet për përcaktimin e mënyrave konkrete të komunikimit me autoritetet italiane, me qëllim përcjelljen e një letërporosie drejtpërdrejt pranë këtyre autoriteteve.

Hetimet vijojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e saj në përputhje me parashikimet ligjore në fuqi.

Gjithashtu në të njëjtin procedim po hetohet dhe po kryhen veprime në lidhje me dëmtimin e disa shtetasve, pas dyshimeve për përdorimin jo proporcional të forcës nga disa punonjës së policisë së shtetit në protesta”, thuhet në njoftim.

Deri në këtë fazë janë administruar rreth 20 kartela mjekësore të shtetasve të dëmtuar dhe po kryen verifikimet për këto raste me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP).