Gjykata ka rrëzuar kërkesën e producentit Petri Bozo, i cili ka kërkuar të ndryshonte masa e tij, nga arrest në shtëpi, në detyrim paraqitje.
Siç bën me dije gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, Bozo kishte dorëzuar disa ftesa në gjykatë, ku sipas tij, nga data 24 tetor deri në 6 nëntor duhet të ishte i pranishëm në eventin e Miss Globe në Tajlandë.
Gjyqtarja e Elbasanit, Suela lika, vlerësoi se nuk ekzistojnë kushtet dhe rrethanat për ndryshimin e masës dhe shpalli arrest shtëpiak për të.
Kujtojmë që Petri Bozo shtypi për vdekje një fëmijë 7 vjeçar pak muaj më parë.
Vogëlushi Algit Samurri, nxënës i klasës së parë, humbi jetën teksa nëna po e shoqëronte për në shkollë.
Aksidenti tragjik ndodhi në aksin nacional Elbasan-Librazhd, pranë shkollës së fshatit Mengël.
Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, fëmija po kalonte rrugën bashkë me nënën, por në një moment i ka shpëtuar vëmendjes së saj dhe ka përfunduar poshtë rrotave të makinës.
Në një interviste të pak kohe më parë, Bozo deklaronte se i pëlqen të eci me shpejtësi.
Madje ai deklaronte se kishte bërë rreth 20 aksidente gjatë jetës së tij.
Por sipas Bozos, asnjëherë s’kishte qenë faji i tij.
