... Nami.al

Aksioni i SPAK në Ministrinë e Mbrojtjes, në kohën që ambasadori amerikan takohej me ministrin Nufi (qendroi mbi një orë e gjysëm)

Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, nën drejtimin e prokurorëve të SPAK, raportohet se kanë kryer këtë të premte kontrolle në disa ambiente private dhe në Ministrinë e Mbrojtjes, për përgjimin që publikoi javë më parë Arben Ahmetaj, për trafik armësh nga Shqipëria.

Mesditën e sotme, në kohën kur raportohet se janë kryer kontrollet, në zyrën e ministrit Ermal Nufi ka qenë ambasadori i ri amerikan në Shqipëri, ish-gjenerali Eric Wendt.

“Me Shtetet e Bashkuara, Shqipëria qëndron krah për krah – për lirinë, sigurinë dhe paqen.

SHBA janë partner i pazëvendësueshëm i Shqipërisë në mbrojtje dhe siguri, ndërsa vendi ynë i sjell këtij partneriteti një pozicion gjeografik me rëndësi, besueshmëri dhe vullnet të palëkundur për të bashkëpunuar.

Korridori VIII, Porto Romano, Baza Ajrore Kuçovë dhe kapacitetet tona për Mbështetjen e Vendit Pritës forcojnë arkitekturën dhe lëvizshmërinë e Aleancës në Evropën Juglindore.

Nga mbështetja për Ukrainën   dhe prania në #KFOR, tek shumë iniciativa shumëkombëshe, apo vendimi për pjesëmarrjen në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza – Shqipëria   dëshmon se është tashmë një aleate e besuar dhe e aftë të kontribuojë për sigurinë dhe paqen”, shkruan ministri Nufi.

Nuk dihet nëse SPAK ishte në dijeni të kësaj gjëje, por burime nga Ministria e Mbrojtjes bëjnë me dije se takimi Wendt-Nufi ka zgjatur mbi një orë e gjysëm dhe ka qenë pozitiv.