... Nami.al

‘Prania Besnike’, 431 ankesa në javën e dytë/ Rama me drejtuesit e qarqeve: Nuk është ideja thjesht të marrim halle e të çojmë halle

Dëgjesat me qytetarët zhvillohen çdo të premte, në orën 17:00, me dyer të mbyllura, pa foto dhe kamera, me qëllim që qytetarët të shprehin lirshëm shqetësimet e tyre, duke u respektuar privatësia.

Të gjithë drejtuesit e qarqeve kanë bërë një bilanc se sa ankesa kanë mbledhur nga qytetarët dhe sa prej tyre janë referuar për zgjidhje.

“Nuk është ideja thjesht që ne të marrim halle e të çojmë halle. Këtu ideja është që ky proces të vijojë sa më mirë. Të vazhdojmë sipas objektivave dhe sipas planeve”, u shpreh Rama.

Ky mekanizëm i ri komunikimi me qytetarët, erdhi si rrjedhojë e protestës së vazhdueshme të qytetarëve, që siç tha vet kryeministri jo vetëm nuk janë dëgjuar, por edhe janë shpërfillur nga pushtetarët vendorë e qendrorë.

Pjesë nga diskutimet në mbledhjen e Ramës me drejtuesit e qarqeve

Blendi Klosi: Është për tu shënuar që në javën e dytë dëgjesat janë rritur me mbi 50%. Nga 80 që kanë qenë në javën e parë, tashmë janë 149 të tilla, duke shënuar rritje.

Niko Peleshi: Bashkia Korçë nga 263 në total, ka 118 raste. 45% lidhen me Bashkinë Korçë si territor. 85 nga Pogradeci dhe 57 raste nga Kolonja. Procesi po funksionon dhe ka fituar kredibilitet.

Taulant Balla: Në Kamëz është përmbyllur procesi i rindërtimit me 1200 përfitues.

Belinda Balluku: Të gjitha ankesat në total janë 431. I kemi vendosur vetes një qëllim që të rrisim numrin e ankesave të zgjidhura në javën e ardhshme.

Ulsi Manja: 38 ankesa kanë ardhur në këtë javë të dytë, 100% të rasteve për të dyja këto të premte janë referuar për zgjidhje nga deputetët.

Ogerta Manastirliu: Jemi takuar me mbi 1200 pjesëmarrës. Është një proces që po ecën mirë, pjesëmarrja po rritet nga java në javë për çështjet individuale, por edhe për pjesën e komunitetit.

Enea Karakaçi: Në dy javë janë mbajtur 172 ankesa, janë më shumë të natyrës individuale, njerëzit e kanë pritur shumë mirë.

Bledi Çuçi: Në Vlorë kanë mbërritur 179 ankesa gjithsej. E-mailet që vijnë nga deputetët duhet të ketë prioritet maksimal.

Arbjan Mazniku: Sistemi tani është plotësisht funksional, janë çuar të gjitha e-mailet në të gjitha institucionet, 31 prej tyre kanë marrë përgjigje.

Mirela Kumbaro: Mendoj që problematika të njëjta të qarqeve të ndryshme t’i bashkojmë dhe t’i kategorizojmë me një lloj prioriteti.

Ervin Demo: Dy-tre javët që kemi para do të jenë kritike për të konsoliduar pastaj një gjë që të jetë sa më funksionale.

Edi Rama: Nuk është ideja thjesht që ne të marrim halle e të çojmë halle. Këtu ideja është që ky proces të vijojë sa më mirë. Të vazhdojmë sipas objektivave dhe sipas planeve.