... Nami.al

Skënder Hita pezullon kryekomisarin dhe nënkomisarët e Shkodrës, pas zbulimit të një plantacioni droge (një qytetar i çoi mesazh kryepolicit Hita)

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita ka urdhëruar nisjen e hetimit disiplinor dhe pezullim nga detyra për shefin e Komisariatit të Policisë Shkodër, shefin e Stacionit të Policisë Velipojë dhe ndihmësspecialistin e Policimit në Zonë, pas zbulimit të një plantacioni droge.

Mësohet se një qytetar i kishte dërguar informacion në e-mail drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për kultivimin e mijëra bimëve narkotike në fshatin Reç i Ri, Velipojë, në një territor të hapur, lehtësisht të verifikueshëm në zonë fushore.

Sipas njoftimit zyrtar, në fshatin Reç i Ri, Njësia Administrative Velipojë, u konstatuan të kultivuara 7446 bimë të dyshuara narkotike të llojit cannabis sativa. 

Pas këtij rasti, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka urdhëruar pezullimin nga detyra të:

Kryekomisar Bekim Lika, shef i Komisariatit të Policisë Shkodër

Nënkomisar Zef Marku, shef i Stacionit të Policisë Velipojë

Inspektor Samet Kadroji, ndihmës/specialist SPZ, përgjegjës për zonën ku u gjetën bimët narkotike

Po ashtu, ka nisur hetim disiplinor edhe për dy punonjës të tjerë policie, pjesë e grupit të kontrollit të territorit, pa masë pezullimi nga detyra.