... Nami.al

Rama me gazetarët e huaj: Më quanin njeri të Sorosit, tani të Kushnerit. Kur erdhi Ivanka Trump, Donald Trump mund të futej në burg

Kryeministri Edi Rama ka komentuar këtë të martë polemikat që kanë shoqëruar projektin turistik që pritet të zhvillohet në Zvërnec nga Ivanka Trump dhe bashkëshorti i saj, Jared Kushner. Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët nga vendet e Bashkimit Europian, kreu i qeverisë u ndal te debatet e shumta që kanë lindur rreth investimit, duke theksuar se kur çifti amerikan vizitoi Shqipërinë për herë të parë, situata politike e Donald Trump ishte larg asaj që është sot.

Sipas Ramës interesi i Ivanka Trump dhe Jared Kushner për të investuar në Shqipëri nuk kishte lidhje me faktin se ata janë pjesë e familjes së presidentit amerikan, pasi në atë kohë ishte e paqartë se cili do të ishte fati politik dhe ligjor i Donald Trump.

“Arsyeja pse bota është entuziazmuar për këtë është për shkak të Donald Trump. Nuk besoj se flamingot në Shqipëri do të kishin bërë një zhurmë kaq të madhe nëse nuk do të kishte një rast për t’i shkuar pas Trump. Por kjo nuk ka të bëjë me atë.

Kur Ivanka Trump dhe Jared Kushner erdhën këtu, nuk ishte e qartë nëse Donald Trump do të shkonte në burg apo në Shtëpinë e Bardhë. Për mua ata ishin investitorë amerikanë që pyesnin nëse mund të kishin një shans në Shqipëri”, u shpreh Rama.

Kryeministri iu përgjigj edhe kritikave që sipas tij kanë ndryshuar drejtim në varësi të rrethanave politike. Ai kujtoi se për vite me radhë është akuzuar nga kundërshtarët si një njeri i afërt me George Soros, ndërsa tani sipas tij po etiketohet si i lidhur me Jared Kushner.

“Nga njëra anë më thonë se jam gjithmonë i Sorosit, tani më thonë se jam i Kushnerit. Gjejeni tani se kush jam. Unë jam kryeministri i Shqipërisë që dua që të gjithë të vijnë dhe të investojnë këtu, të jenë miq të këtij vendi”, deklaroi ai.

Rama theksoi se Shqipëria nuk duhet të kthehet në arenë të përplasjeve politike që zhvillohen në Shtetet e Bashkuara apo në vende të tjera, duke nënvizuar se çdo projekt do të vlerësohet mbi bazën e fakteve dhe rezultateve konkrete.