...
Historia duket se është përsëritur edhe këtë vit me provimet e Maturës Shtetërore.
Vetëm rreth një orë pasi maturantët janë futur në sallat e testimit për të zhvilluar provimin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, teza është publikuar dhe ka nisur të qarkullojë gjerësisht në rrjetet sociale dhe platforma të ndryshme online.
Këtë të martë mbi 26.600 maturantë në të gjithë vendin po i nënshtrohen provimit të dytë të Maturës Shtetërore, atij të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë.
Nxënësit u paraqitën në ambientet e shkollave që në orën 08:30, ndërsa testimi nisi në orën 10:00 dhe pritet të përfundojë në orën 12:30.
Ministria e Arsimit kishte rikujtuar më herët masat e sigurisë, duke theksuar se gjatë zhvillimit të provimit ndalohet rreptësisht mbajtja e telefonave celularë, orëve inteligjente apo çdo pajisjeje tjetër që mundëson komunikim elektronik ose përdorimin e inteligjencës artificiale.
Megjithatë, pavarësisht këtyre masave publikimi i tezës në internet ka ndodhur sërish, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të ketë reagim zyrtar nga institucionet përgjegjëse.




